“Sympathy For The Devil” (Simpati për djallin) është një Samba Rock që fton të “kuptojmë” djallin. Dhe është një nga këngët më të famshme rock të shkruar ndonjëherë.
Në vitin 1968, The Rolling Stones duhej të fillonin përsëri, pothuajse nga e para,. Pas albumit të vitit të mëparshëm “Their Satanic Majesties Request” (Kërkesa e Madhërisë së tyre Satanike), album goxha psikodelik, ishte e nevojshme të ktheheshin në rrugën e duhur, të ktheheshin në rock.
Albumi kishte qenë në fakt një dështim dhe barra e tij e kishte komprometuar qetësinë e grupit. Për këtë arsye, ata ndjenë njëfarë urgjence për t’u kthyer në origjinë.
Keith Richards ishte më i vendosuri për të lënë pas psikodelinë, duke i çliruar Rolling Stones nga një zhanër të cilit nuk i takonin dhe i ishin bashkuar vetëm sepse ishte në trend. Dhe hapi i parë në drejtimin e tyre të ri, të vjetër, ishte i qartë me “Jumpin ‘Jack Flash”, një këngë e lëshuar në mars të 1968 që përqafoi përsëri me entuziazëm bluesin dhe riffet e kitarave të Keith Richards.
Duke pasur parasysh vështirësitë e përjetuara, Rolling Stones kishin nevojë edhe për një producent që mund t’i drejtonte pa prishur ekuilibrin delikat të grupit.
Jimmy Miller ishte njeriu i duhur në kohën e duhur dhe përvoja e tij e ndihmoi atë të shmangte konfliktin me “Binjakët Glimmer” (Mick Jagger dhe Keith Richards) bashkautorët e pothuajse të gjitha këngëve të Rolling Stones.
“Simpatia për djallin” lindi në këtë kontekst, një baladë e frymëzuar nga “Mjeshtri dhe Margarita” një roman i shkrimtarit sovjetik Mikhail Bulgakov, i shkruar në Bashkimin Sovjetik midis viteve 1928 dhe 1940, e që ishte i ndaluar.
Një version i censuruar, me disa kapituj të prerë nga redaktorët, u botua në revistën e Moskës në vitet 1966–1967, por dorëshkrimi nuk u botua si libër deri në vitin 1967, në Paris. Ngjarja ka të bëjë me një vizitë nga djalli dhe shoqëruesi i tij në Bashkimin Sovjetik.
Djalli, i shfaqur si një profesor, sfidon besimet e qytetarëve sovjetikë ndaj fesë dhe dënon sjelljen e tyre.
“Mjeshtri dhe Margarita” ndërthurin elementë të mbinatyrshëm me komedinë e errët satirike dhe filozofinë religjioze. Shumë kritikë e konsiderojnë atë si një nga romanet më të mira të shekullit të 20-të, si dhe më kryesorin e satirave sovjetike.
Jagger e kishte lexuar së fundmi romanin dhe kjo e shtyu atë të shkruante një këngë që ishte afër stilit të ri vizionar të Bob Dylan.
Aranzhimi i këngës nuk ishte i lehtë dhe Stones provuan teknika të ndryshme, duke ndryshuar mendje rrugës, gjatë regjistrimit në studio.
Jean-Luc Godard regjisor i famshëm françez përjetësoi procesin krijues të grupit në filmin e tij “One Plus One”, (Një plus një) i shpërndarë gjithashtu nën titullin “Sympathy For The Devil”. (Simpatia për djallin). Regjisori ndoqi zhvillimin e këngës në studio në një dokumentar të rrallë dhe të çmuar të metodave të punës së Rolling Stones.
Në film, grupi shfaqet në një shkëputje totale të përqendrimit, për të pasqyruar sfondin e vështirë dhe konfuz politik të vitit 1968.
Duke kompozuar fillin kryesor narrativ të filmit janë disa xhirime të gjata e të pandërprera të Rolling Stones në studio, duke regjistruar dhe ri-regjistruar pjesë të ndryshme të “Sympathy for the Devil”.
Shpërfillja e Kitaristit Brian Jones i cili vdes një vitë më vonë është portretizuar gjallërisht, dhe kaosi i vitit 1968 bëhet i qartë kur një rresht i këngës që i referohet vrasjes së John F. Kennedy dëgjohet i ndryshuar në shumës pas vrasjes së Robert F. Kennedy në qershor.

Kënga, e quajtur fillimisht “The Devil Is My Name”, (Djalli është emri im) u shndërrua nga një sui generis folk në diçka krejtësisht të ndryshme.
Pasi provuan gjithçka, Kitaristi Keth Richards dhe të tjerët dukej se kishin arritur në një rrugë pa krye. Në pamundësi për t’i dhënë një formë përfundimtare këngës, Stones u mbështetën në drejtimin e producentit Jimmy Miller, i cili transformoi plotësisht “Sympathy For The Devil”.
Miller e çoi këngën në brigje të tjera, duke e ndryshuar ritmin në një samba djallëzore, dhe rock të egër.
Atmosfera intensive, pothuajse primitive që doli nga kënga ringjalli entuziazmin e grupit që kënga të përfundojë si një tregim ku djalli i këngës rrëfen të gjitha fatkeqësitë e historisë njerëzore në të cilën ai ishte protagonist dhe kërkon “mirëkuptim”, përndryshe do t’i mallkojë shpirtrat e atyre që nuk e respektojnë.
Ai përmend Luftën Njëqindvjeçare, Revolucionin e Tetorit, gjyqin e Jezusit, Luftën e Dytë Botërore dhe vrasjet e vëllezërve Kennedy, njëri president, tjetri senator dhe kandidat për president të Shteteve të Bashkuara.
“Sympathy For The Devil” është bërë një klasik absolut dhe një pjesë e domosdoshme në repertorin e Rolling Stones. Pavarësisht se nuk ishte një himn për djallin siç mendojnë shumë, kënga e futi grupin në një rrjetë akuzash për adhurimin e satanait.
Seksi dhe drogat e rënda së bashku me ‘Rock n roll’ ishin tema të pritshme për shumicën e grupeve të epokës së Rolling Stones. Shkrimi i tyre i një kënge që portretizon satanain, në vetën e parë, duke thënë se ai bashkë me njerëzimin janë përgjegjës për të këqijat e historisë njerëzore, ishte një realitet tjetër.
Duke folur si vetë djalli, Jagger përmes këngës pranon se satani me të vërtetë ka pasur duart e tij të nxehta në shumë mizori gjatë historisë. Ngjarje të tilla si luftërat evropiane të fesë, Revolucioni Rus dhe ekzekutimin e vitit 1918 të familjes mbretërore ruse Romanov, edhe Lufta e Dytë Botërore citohen në këngë si ngjarje të parë nga këndvështrimi i djallit.

Gjyqi i padrejtë, dyshimet, dobësitë dhe vdekja e Jezu Krishtit vihen re gjithashtu në këngë, në të cilën Satani implikon Ponc Pilatin në lojën e tij të fajësimit. Kënga madje parashtron pyetjen: “Kush i vrau Kenneditë?” Përgjigja që është dhënë implikon njerëzimin bashkë me djallin: “…në fund të fundit ishim unë dhe ti” thotë djalli.
Mick Jagger autori i teksitit krijoi një përrallë të errët dhe të çuditshme në të cilën djalli – i paraqitur këtu si një person socialë i sofistikuar (njeri me mirëqenie dhe shije) pretendon përgjegjësinë për një varg të mizorive historike, dhe vë në dukje se ndryshe prej tij njerëzimi nuk merr përgjegjësi për mizoritë e veta. Pikëpamja e tij e zymtë dukej se pasqyronte peizazhin në të cilin u krijua, në vitin e turbullt 1968.
Kënga nxiti pretendime se Rolling Stones ishin marrë me satanizëm (albumi i tyre i mëparshëm, megjithëse nuk përmbante referenca të drejtpërdrejta satanike në muzikën ose tekstin e tij, titullohej “Kërkesa e madhërisë së tyre satanike”. “
Simpathy For The Devil” i nxori në pah këto shqetësime, duke nxitur thashethemet dhe frikën mediatike të disa grupeve fetare se ata ishin adhurues të djallit dhe kanë ndikim të tmerrshëm tek të rinjtë.
“Ishte një kohë trazirash,” e shpjegon më vonë bashkautori i këngës kitaristi Keith Richards. “Ishte lloji i parë i kaosit ndërkombëtar që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe konfuzioni nuk është aleati i paqes dhe dashurisë. Ju dëshironi të mendoni se bota është e përsosur por nuk mund të fshiheni pas atyre mendimeve. Por, ju gjithashtu mund të pranoni faktin që e keqja ekziston dhe ta trajtoni atë në çdo mënyrë që të mundeni. ‘Sympathy For The Devil’ është një këngë që thotë: Mos e harro. Nëse përballeni me të, atëherë ai është pa punë”, shpjegon Richards.

Për ndryshimin në perceptimin e publikut që përjetoi grupi pas publikimit të këngës, Richards tha në një intervistë të vitit 1971 për revistën Rolling Stone: “Ne ishim thjesht fëmijë të pafajshëm duke kaluar një kohë të mirë, dhe papritmas filluan të na thonë se jemi të të këqij, se jemi e keqe e shoqërisë, kështu që të bën të mendosh keq… dhe tani nuk e di sa njerëz mendojnë për Mick-un si djall apo thjesht një artist të mirë rock? Ose thonë se ne sillemi si agjentë të panjohur të Luciferit.”
Ndryshe nga miti i përhapur, Rolling Stones po performonin “Under My Thumb” dhe jo “Sympathy for the Devil” kur i riu afroamerikani Meredith Hunter u vra në koncertin e Rolling Stones në Altamont, Shtetet e Bashkuara më 1969. Gjatë performancës nga Rolling Stones, Hunter iu afrua skenës dhe u dëbua nga anëtarët e Klubit të Motoristëve “Hells Angels” (Engjujt e ferrit), të cilët po zbatonin sigurinë dhe kishin rënë dakord të pengonin anëtarët e audiencës që të ngjiteshin në skenë. Ai më pas u kthye në zonën e skenës, nxori një revolver dhe u godit me thikë dhe u rrah për vdekje nga anëtarët e Hells Angels.
Artikujt e hershëm të revistës Rolling Stone për incidentin zakonisht raportuan gabimisht se vrasja ndodhi gjatë performancës së “Simpathy for the Devil”, gjë që e bëri këngën akoma më të mallkuar në vështrimin e njerëzve.
Incizimi i “Sympathy for the Devil” filloi në Studiot “Olympic Sound” të Londrës më 4 qershor 1968, dhe mbaruan më 10 qershor. Personeli i përfshirë ishin Nicky Hopkins në piano, Rocky Dijon në konga dhe Bill Wyman në shekere. Marianne Faithfull, Anita Pallenberg, Brian Jones, Charlie Watts, fotografi Michael Cooper, Wyman dhe Richards performuan vokale përcjellës. Keith Richards luan bas në regjistrimin origjinal, dhe gjithashtu kitarë elektrike. Brian Jones luan një kitarë akustike kryesisht të përzier.
Kënga ende interpretohet dhe ka qindra verzione nga performues tjerë. Albumi “The Begar Banquet” (Banketi i lypësit) të cilin e hap kënga vazhdon të shitet edhe në aplikacione të ndryshme edhe në formë vinili fizikë. Kritikat dhe mallkimet nga grupet e ndryshme religjioze e kanë humbur betejën që kënga ta ketë epitetin e mallkimit./Katror.info
Përgatiti:
