Lidhja Shqiptare Evropiane sjell ekspozitën kolektive me titull “Ngjyrat Dardane”, që organizohet për nder të 16 – të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës , kuruar nga piktori Anton Krasniqi.
Florim Rullani themelues i Lidhjes Shqiptare Evropiane tha në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” se me këtë ekspozitë ndërtojnë një komunikim me popullin e Kosovës dhe njëkohësisht përcjellin një mesazh për audiencën ndërkombëtare ku përmes pikturës shteti i Kosovës flet, përcjell RTK.
Ndërsa Merita Isufi nënkryetare e Lidhjes Shqiptare Evropiane tha se në këtë ekspozitë vijnë me figurat kryesore të historisë së popullit shqiptar.
“Me ngjyrat e bukura të artit vijnë artistët më të shquar të trevave shqiptare. Ata vijnë me figurat kryesore të historisë së popullit shqiptar ku përmes ngjyrave të atdheut në ekspozitën e nëntorit dhe ngjyrave dardane në ekspozitën e shkurtit me rastin e pavarësisë së Kosovës sjellin frymën e paqes, trimërisë, guximit, fisnikërisë, kulturës dhe të prejardhjes së lashtë shqiptare”, tha Isufi.
Ndërkaq kuratori Anton Krasniqi theksoi se tematika e ekspozitës ka qenë e lirë, teksa në të marrin pjesë 31 artistë.
“Nëpërmjet ekspozitës jam munduar të sjellë artistët më në zë të trevave shqiptare.Në të marrin pjesë 31 artistë dhe është ekspozitë festive e cila i kushtohet 17 Shkurtit. Ekspozita ka edhe qëllime bamirësie pasi një shumë e përfituar e parave i dërgohen familjes së policit të vrarë, Afrim Bunjaku”, theksoi ai.
Artistët pjesëmarrës janë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i ZI dhe Kosova: Anton Krasniqi, Agron Bytyqi, Arlinda Hajrullahu, Arta Rushiti, Isa Alimusaj, Lirije Buliqi, Sabri Behramaj, Butrint Morina.
Sarada Kika – Bahtiri, Shqiprim Fejzullahu (Preshev), Fatmir Juka ( Shqipëri ), Eliza Hoxha, Safet Spahiu (Maqedonia e Veriut ), Leart Hyseni, Valbona Gashi, Mervan Mustafa, Budim Berisha, Refki Gollopeni
Fehmi Hoxha, Shqipe Berisha, Bardha Buza, Saba Berisha – Ismajli, Naim Spahiu, Qazim Gjylani, Esat Valla, Musa Prelvukaj, Luljeta Rama – Muçaj, Mentor Avdili, Avdi Hajdari – Kame, Selam Kastrati.
Ekspozita do të hapet me datë 15.02.2024, në ora 19;00 në Open Art Gallery në Prishtinë./Katror.info