E lindur si Eunice Kathleen Waymon në Tryon, Karolina e Veriut, më 21 shkurt 1933, talenti i saj i jashtëzakonshëm si muzikante ishte i dukshëm që herët, kur filloi të luante piano në moshën trevjeçare. Nëna e saj, një shërbëtore metodiste në kishë, dhe babai i saj, një artizan dhe predikues autodidakt, nuk mund të injoronin dhuratën hyjnore të muzikës që i ishte dhënë bijës së tyre.
E rritur në kishë me parime të forta, prindërit e saj e mësuan të dallonte të drejtën nga e gabuara, të mbahej me dinjitet dhe të punonte shumë. Ajo ishte vetëm dymbëdhjetë vjeçe kur dha recitalin e saj të parë në piano. Gjatë kësaj shfaqjeje, prindërit e saj, të cilët ishin ulur në rreshtin e parë, u detyruan të kalonin në rreshtat e pasmë për t’u lënë vend të bardhëve. Ajo refuzoi të luante derisa prindërit e saj u kthyen përsëri në rreshtin e parë.
Ky incident kontribuoi në angazhimin e saj të mëvonshëm në lëvizjen për të drejtat civile. Eunice Kathleen shpesh ndjente se ishte viktimë e paragjykimeve racore gjatë jetës së saj.
Në gjendje të luante pothuajse çdo gjë me një dëgjim të vetëm, ajo së shpejti filloi mësimet e muzikës klasike me një angleze të quajtur Muriel Mazzanovich, e cila jetonte në të njëjtën lagje me të. Pikërisht nga këto rrënjë modeste, Eunice zhvilloi një dashuri të përjetshme për Johann Sebastian Bach, Chopin, Brahms, Beethoven dhe Schubert. Pasi u diplomua në klasën e saj të shkollës së mesme, komuniteti mblodhi para për një bursë për Eunice për të studiuar në Julliard në New York City përpara se të aplikonte në Institutin prestigjioz të Muzikës Curtis në Filadelfia ku nuk u pranua kurrë.
Deri në fund të jetës së saj, ajo do të pretendonte se racizmi ishte arsyeja pse nuk u pranua. Ky moment ndikoi thellësisht në jetën e saj, duke e kthyer atë në një luftëtare të vendosur kundër racizmit. Edhe pse ëndrra e saj fillestare për të qenë pianiste koncertale në Filharmoni mbeti e parealizuar, Eunice krijoi një karrierë të jashtëzakonshme në mbarë botën, duke jetuar një jetë plot krijimtari, por edhe të shoqëruar nga trishtimi dhe dhimbja.

Ajo u bë një nga artistet më të shquara të shekullit të 20-të dhe një ikonë e muzikës amerikane. Si tregimtare muzikore, ajo përdori talentin e saj të jashtëzakonshëm për të krijuar një çlirim, fuqi, pasion dhe dashuri përmes një koleksion të mrekullueshëm veprash. Falë aftësive të saj unike për të krijuar një atmosferë magjepsëse ajo fitoi titullin “Predikuesja e Lartë e Shpirtit” dhe bota do ta njihte dhe nderonte atë si Nina Simone.
Magjia që Nina Simone krijonte në këngët e saj ishte unike, një formë shumë personale e shprehjes. Ishte prekëse dhe shpesh ngjallte një zjarr të fuqishëm zemërimi. Por gjithmonë ishin emocionet e saj të vërteta, me ndjeshmëri të ndershme dhe thellësisht njerëzore, të ndërtuara mbi integritetin e saj njerëzor dhe artistik.
Performanca e saj në piano mbetet ndër më virtuozet, si në jazz ashtu edhe në muzikë përgjithësisht, me një notë të vetme, ajo gjeneronte aq shumë emocione, sa dëgjuesit përjetonin një ndjesi hipnotizimi. Mjafton të dëgjohen “Wild Is The Wind” (E egër është era) dhe “Strange Fruit” (Frutat e çuditshme).
“Wild Is the Wind” është këngë e shkruar nga Dimitri Tiomkin dhe Ned Washington për filmin e vitit 1957 me të njëjtin titull, interpretuar nga Johnny Mathis. Simone e ripunoi gjerësisht këngën, me orkestrim të ngadaltë dhe me nota të rralla, por thellësisht emocionale në piano, vokalet e zgjatura të saj shprehin ndjenjë humbjeje deri në dhimbje fizike.
“Strange Fruit,” fillimisht e kënduar nga Billie Holiday më 1939, në interpretimin e Nina Simone merr përmasa trishtuese, për fatin e afroamerikanëve në kohën e segregacionit. Kënga proteston kundër linçimit të afroamerikanëve, të cilët vareshin në pemë, duke i krahasuar me frutat e tyre. Linçime të tilla kishin arritur kulmin në Jugun e Shteteve të Bashkuara në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të.
Në vitin 1954, Simone filloi të luante piano në Midtown Bar and Grill në Atlantic City, New Jersey. Ajo filloi të këndojë kur pronari i barit e kërcënoi se do ta përjashtonte nëse nuk fillonte edhe të këndonte. Ajo kishte frikë se nëna e saj nuk do ta miratonte punën e saj në bare nate me jazz, muzikë e cila konsiderohej muzikë e djallit, prandaj ajo adoptoi një emër skenik, Nina (një pseudonim nga ish-i dashuri) dhe Simone (sipas aktores franceze Simone Signoret).
Ndërsa performonte në zonat e Atlantic City dhe Philadelphia, Simone nënshkroi me Bethlehem Records dhe publikoi albumin e saj debutues, “Little Girl Blue” (Vajza e vogël blue), në vitin 1958. Simone ende kërkonte të bëhej pianiste koncertesh dhe përdorte të ardhurat nga albumi i saj për të financuar trajnimin e saj klasik. Versioni i Simones i këngës “I Loves You, Porgy” u bë një hit në Top 20 në vitin 1959. Atë kohë ajo vendosi të transferohej në Nju Jork për të përfituar nga suksesi i saj.
Edhe pse ajo këndonte për diskriminimin dhe vuajtjet dhe padrejtësitë racore, në fillimet e karrierës Simone i shmangej politikës në skenë, por bëhej gjithnjë e më shumë politike jashtë saj. Ndërsa jetonte në Nju Jork, ajo ishte miqësuar me liderë dhe shkrimtarë të kulturës zezake, si James Baldwin, Langston Hughes dhe Lorraine Hansberry. Simone dhe Hansberry krijuan shpejt një lidhje të ngushtë, dhe kjo e ndihmoi atë në skenarin e dramës “A Raisin in the Sun” (Një rrush i thatë në diell), e cila eksploronte vështirësitë e jetës së zezë në Amerikën e shekullit të 20-të.
Më 15 shtator 1963, një bombë e vendosur nga ekstremistë të bardhë në Kishën Baptiste në Birmingham, Alabama, vrau katër vajza të reja zezake që po ndiqnin shkollën e së dielës. Simone ishte zemërthyer dhe e zemëruar. Më vonë, ajo pranoi se instinkti i saj i parë ishte dhuna – thjesht të blinte një armë dhe të vriste këdo në shenjë hakmarrjeje. Por, me nxitjen e bashkëshortit të saj të atëhershëm, ajo kanalizoi zemërimin dhe pikëllimin e saj në muzikë.
Brenda më pak se një ore, ajo shkroi njërën nga këngët e saj më të famshme, “Mississippi Goddamn” (Qofsh i mallkuar, Misisipi), titulli i së cilës u frymëzua, pjesërisht, nga vrasja e udhëheqësit të të drejtave civile, Medgar Evers, në shtetin e Misisipit në fillim të asaj vere.
Tempi optimist i këngës bëri pak për të zbutur intensitetin e tekstit, i cili sulmoi ritmin e ngadaltë të drejtësisë racore në Amerikë dhe shtypjen dhe dhunën e vazhdueshme shekullore ndaj afroamerikanëve. Ajo do ta rishikonte tekstin e këngës në vitet e ardhshme për të përfshirë incidente të mëvonshme të padrejtësisë racore në qytete anembanë Amerikës.
Reagimi ndaj këngës ishte i përzier. Shumë nga audienca, kryesisht e bardhë, për të cilën Simone fillimisht performoi, dukej e shqetësuar ose nuk e kuptonte ashpërsinë e situatës që ajo përshkroi. Të tjerët, veçanërisht në jug, reaguan në mënyrë shumë më emocionale. Pati protesta, kënga u ndalua në disa shtete dhe në raste të shumta njerëzit shkatërronin kopjet e albumit.
Nga ana tjetër, shumë afrikano-amerikanë duartrokitën Simonen që i dha zë dhimbjes dhe ankthit të tyre. Siç tha më vonë aktivisti Dick Gregory: “Nëse shikoni të gjitha vuajtjet nëpër të cilat kanë kaluar njerëzit me ngjyrë, asnjë zezak nuk do të guxonte të thoshte ‘Mississippi Goddam’. Ajo e tha.” Kënga goditi një nerv të thellë, veçanërisht te aktivistët, të zinj dhe të bardhë, të cilët vërshuan Misisipin për të udhëhequr një lëvizje regjistrimi të votuesve të parë me ngjyrë, e njohur si “Vera e Lirisë së Mississippit”.
Ndërsa shumë udhëheqës të të drejtave civile mbështetën qasjen e kujdesshme, integruese dhe jo të dhunshme të Martin Luther King Jr., prirjet politike të Nina Simone ishin më të lidhura me ato që bënin thirrje për një përgjigje më radikale. Ajo u takua me King për herë të parë në vitin 1965, pasi kishte performuar për marshuesit që shkonin nga Selma në Montgomery, Alabama – shumë prej të cilëve ishin sulmuar brutalisht vetëm disa ditë më parë gjatë famëkeqes “E Diela e Përgjakshme.” Simone ishte e zëshme në dyshimet e saj për qasjen e tij më të moderuar, King ishte fitues i çmimit Nobel për paqe më 1964 dhe vritet nga një kriminel ekstremist i bardhë më 1968.
Simone ishte edhe mbështetëse e Malcolm X megjithëse nuk e takoi kurrë atë, i cili ishte pak sa më radikal dhe ishte vrarë më 1965. Simone përqafoi gjithashtu një stil të ri personal, duke veshur flokët e saj të rregulluar në një stil më natyral Afro dhe duke adoptuar një gardërobë Afrocentrike.
Gjithmonë e vetëdijshme për barrierat e veçanta me të cilat përballeshin amerikanët zezakë, ajo shkroi këngë që sfidonin këto nocione, përfshirë “Four Women” të vitit 1966, e cila përshkruante efektin e “kolorizmit” stereotip mbi gratë zezake, një analizë mbi trashëgiminë mallkimore të skllavërisë, e cila i bëri ikonografike gratë e vërteta. Disa stacione radiofonike zezakë refuzuan të luanin këngën, duke reflektuar ndarjen midis vetë komunitetit zezak mbi çështjet e të drejtave civile, duke lënduar thellë Simonen.
Jeta e saj nuk ishte aspak e lehtë dhe e lumtur. Burri i saj i dytë, një detektiv i NYPD-së, e abuzonte fizikisht dhe mendërisht dhe shumë nga rrethi i saj dhe industria muzikore e konsideronin të çmendur. Edhe pse ajo ishte një nga figurat më emblematike dhe pioniere në lëvizjen për të Drejtat Civile, ishte në një pikë të ulët.
Ndonëse ajo u nderua me një nderim për “Ditën e Mirësisë Njerëzore” ajo e kishte ndaluar kryesisht performancat dhe inçizimet dhe po përballej me akuza nga IRS, (administrata federale e taksave), një urdhër arresti ishte lëshuar për të për shkak të taksave të papaguara, të cilat ajo kishte refuzuar t’i paguante si protestë kundër përfshirjes së vendit në Luftën e Vietnamit.
“Pikëpamja më e përhapur ishte se ajo po ngacmohej jashtëzakonisht nga qeveria,” pat thënë politikani dhe diplomati Andrew Young. Megjithatë, në këtë periudhë të vështirë, një aleat i papritur i ofroi një nxitje të vogël morale.
Në korrik të vitit 1974, ajo mori vajzën e saj, Lisa, në një koncert të David Bowie-t në Madison Square Garden. Edhe pse kishin shkëmbyer vetëm disa fjalë të rastit, Bowie i kërkoi numrin e saj të telefonit dhe e telefonoi atë natë, pikërisht në orën 3:00 të mëngjesit. “Mos lejo askënd të të thotë se je e çmendur, sepse nga vijmë ne, jemi shumë pak,” i pati thënë ai.

Bowie, ndërkohë, ishte transferuar në New York dhe kishte filluar një drejtim të ri muzikor, të orientuar më shumë drejt muzikës shpirtërore. Ai gjithashtu po zbriste nga varësia ndaj drogës dhe paranoja. Për një muaj rresht, ai e telefononte çdo natë dhe bisedonin për orë të tëra. Më në fund, ai e vizitoi.
Admirimi i David Bowie-t ndaj Nina Simone ishte aq i madh, saqë ai bëri një rrëfim. Edhe pse konsiderohej një ndër artistët më të talentuar në botë, ai i tha asaj se nuk e shihte veten si një këngëtar të talentuar dhe e dinte këtë. Ai thjesht dëshironte të bëhej një këngëtar rock-and-roll dhe kishte gjetur formulën e duhur.
“Por ti je tepër e talentuar, ti je gjeniale dhe nuk duhet ta braktisësh muzikën. Gjenialiteti yt e lë nën hije vlerën e parave,” i pati thënë Bowie.
Ai po afirmonte vlerën e saj të vërtetë si artiste – një ndjeshmëri që ai e njihte si diçka krejt ndryshe nga ajo e një ylli pop. Në një periudhë të tillë turbulence, asaj i duhej kjo mbështetje.
“Ai ka më shumë sens se kushdo tjetër që kam njohur ndonjëherë. David nuk është nga kjo botë,” pati thënë ajo, sipas Alan Light, autorit të librit “What Happened, Miss Simone?” (Çfarë ndodhi, zonjusha Simone?).
Më vonë, Bowie do të përpunonte këngën “Wild Is the Wind,” titullin nga albumi i vitit 1966 i Simone-s, duke i dhënë një dimension tjetër këngës, që i prezantoi madhështinë e Nina Simone-s audiencës së muzikës Rock. Dhe së shpejti, ashtu siç kishte bërë Bowie para saj, Simone do të largohej nga vendi i saj në kërkim të një mjedisi më simpatik.
Ajo jetoi në Liberi, Barbados, Holandë, Angli dhe Zvicër dhe përfundimisht u vendos në Paris. Atje, ajo performonte rregullisht në një klub të vogël xhazi të quajtur Aux Trois Mailletz, për një shpërblim relativisht të vogël financiar. Simone u diagnostikua me çrregullim bipolar në fund të viteve 1980.
Në vitin 1985, Simone qëlloi me armë drejt një drejtuesi të një kompanie diskografike, të cilin ajo e akuzoi për vjedhje të të ardhurave. “Gjuajta dhe u përpoqa ta vrisja”, por “ia huqa”, tha Simone në intervistën dhënë BBC-së te Tim Sebastian.
Si pasojë e sëmundjes së saj, ajo kishte edhe disa situata agresive, për të cilat u dënua me tetë muaj burg, dënim që u pezullua në pritje të një vlerësimi dhe trajtimi psikiatrik.
Në vitin 1987, Simone arriti një hit të madh evropian me këngën “My Baby Just Cares for Me” (“Dashuria ime kujdeset për mua”), incizuar prej saj për herë të parë në vitin 1958. Kënga arriti në vendin e katërt në tabelën e këngëve NME të Mbretërisë së Bashkuar. Në vitin 1999, Simone-s iu dha një çmim për arritje jetësore nga Salla e Famës së Muzikës Irlandeze, prezantuar nga Sinéad O’Connor. Ajo ishte gjithashtu fituese e çmimit Grammy Hall of Fame në vitin 2000 për interpretimin e saj të “I Loves You, Porgy”. Simone mori dy diploma nderi në muzikë dhe shkenca humane, nga Kolegji Amherst dhe Kolegji Malcolm X.
Dy ditë para vdekjes së saj, më 19 prill 2003, Simone mësoi se do t’i jepej një diplomë nderi nga Instituti i Muzikës Curtis, shkolla e muzikës që kishte refuzuar ta pranonte si studente në fillim të karrierës së saj. Në vitin 2002, qyteti i Nijmegen, Holandë, i vuri një rruge me emrin e saj, si “Rruga Nina Simone”: ajo kishte jetuar në Nijmegen midis 1988 dhe 1990.
Në vitin 2010, një statujë për nder të saj u ngrit në Trade Street në vendlindjen e saj Tryon, Karolina e Veriut. Promovimi nga Instituti Francez i Studimeve Politike të Lille (Sciences Po Lille), për të marrë titullin master në vitin 2021, u quajt për nder të saj, promovimi i Nina Simone’ pas një votimi në 2017. Simone u fut në Sallën e Famës Rock and Roll në 2018. Në vitin 2019, “Mississippi Goddam” u përzgjodh nga Biblioteka e Kongresit për t’u ruajtur në Regjistrin Kombëtar të Regjistrimit për të qenë “kulturalisht, historikisht ose estetikisht e rëndësishme”.
Simone u fut në Sallën e Famës Kombëtare të Rhythm & Blues në vitin 2021. Në vitin 2023, Rolling Stone e renditi Simonen në vendin e 21-të në listën e 200 këngëtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Si dhe autobiografia e saj e vitit 1992 “I Put a Spell on You”, shkruar me Stephen Cleary, Simone ka qenë subjekt edhe i disa librave. Ato përfshijnë; “Nina Simone, Break Down and Let It All Out” ( Nina Simone, Pusho dhe leri të gjitha jashtë) (2004) nga Sylvia Hampton dhe David Nathan; “Princesha Noire” (Princesha e zezë) (2010) nga Nadine Cohodas; “Nina Simone” (2004) nga Kerry Acker; “Nina Simone, Black Is the Color” Nina Simone , E zezë është ngjyra) (2005) nga Andrew Stroud; Nina Simone (2013) nga Richard Elliott dhe “What Happened, Miss Simone?” (Çfarë ndodhi, zonjusha Simone?) (2016) nga Alan Light. Simone frymëzoi një libër me poezi, “Me And Nina” (Unë dhe Nina) nga Monica Hand dhe është fokusi i librit të muzikantit Warren Ellis, “Nina Simone’s Gum” (Çamçakëzi i Nina Simone) 2021. Për Nina Simonen janë bërë disa filma biografikë dhe dhjetëra dokumentarë dhe drama.
Studiuesit shpesh e kanë anashkaluar trashëgiminë e Simones, sepse muzika e saj kalonte zhanre dhe nuk mund të kategorizohej lehtë, por me më se 35 albume dhe qindra performanca, ajo mbetet sinonim i një gjenialiteti muzikor që vështirë përsëritet, ajo përfshinte një repertor shumë të larmishëm me kontralton dhe ngjyrën e saj unike të zërit, piano i saj ka prekje xhazi, blues, soul, folk por edhe Bach, Chopin, dhe Listz nga muzika klasike.
Rolling Stone pat shkruar se Simone mund të “kanalizojë çdo aspekt të përvojës së jetuar”. Simone shpesh vlerësohej për aftësinë e saj për të shprehur një gamë të gjerë emocionale në muzikën e saj, nga zemërimi i pamat deri te gëzimi i pakufishëm, në këngën “I put Spell On You” (Unë të kam magjepsur) ashtu siç thotë kënga çdo tingull dhe vokal magjeps, në “ Dont Let Me Be Misunderstood” (Mos më lër të keqkuptohem) vokalet e saj janë shpërthim i thellë sinqeriteti dhe pendimi, ndërsa në këngën “Stars” (Yjet) zemëgjersisht i jep kredi kolegëve të saj të mëparshme që janë gatuar nga brumi i njëjtë si ajo.
“Po mundohem të tregoj historinë time, Janis Ian e tregoi të veten shumë mirë, Janis Joplin e tregoi edhe më mirë, Billie Holiday madje e tha akoma më mirë: Ne kemi gjithmonë një histori”, këndon ajo në “Stars”
Gjatë një shfaqjeje në vitin 1998 në Newark, New Jersey, ajo njoftoi: “Nëse dëshironi të më shihni përsëri, duhet të vini në Francë, sepse unë nuk do të kthehem.” Ajo vuajti nga kanceri i gjirit për disa vite me radhë, para se të ndërronte jetë në gjumë, në shtëpinë e saj në Bouches-du-Rhône, Francë, më 21 prill 2003, në moshën 70-vjeçare.
Deri në fund ka mbetur e pathyer në dhimbjet e veta ashtu si thotë kënga e saj “Four Woman”; Flokët e mi janë të leshta…shpina ime është e fortë… mjaftë e fortë për të përballuar dhimbjen…të shkaktuar përsëri…dhe përsëri! Shërbimi i saj funeral u mbajt në famullinë lokale dhe u ndoq nga këngëtaret Miriam Makeba dhe Patti LaBelle, poetja Sonia Sanchez, aktorët Ossie Davis dhe Ruby Dee, si dhe qindra të tjerë. Hiri i Simones u shpërnda në disa vende afrikane./Katror.info
Përgatiti:
