Agjencia Evropiane e Hapësirës ka nisur teleskopin hapësinor Euklid, që synon të zbulojë misteret e materies së errët dhe energjisë së errët.
Anija kozmike prej 2.2 tonësh me teleskopin 1.2 metra, u transportua në hapësirë nga një raketë SpaceX Falcon 9 dhe tani është në rrugën e saj drejt orbitës rreth diellit.
Misioni fillimisht ishte planifikuar të nisej duke përdorur një raketë ruse Soyuz nga porti hapësinor i Evropës në Guiana Franceze, por pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë, bashkëpunimi midis ESA-s dhe Rusisë u ndërpre.
Në vend të kësaj, teleskopi u nis nga Stacioni i Forcave Hapësinore Cape Canaveral në Florida.
Teleskopi është nisur drejt një orbite të quajtur L2, pika e dytë e Lagranzhit, e cila është e njëjta orbitë e përdorur nga teleskopi hapësinor James Ëebb dhe teleskopë të tjerë hapësinorë.
Kjo orbitë ofron stabilitet të lartë, e cila është veçanërisht e rëndësishme për një mision si Euklidi, i cili synon të mbledhë vëzhgime jashtëzakonisht të detajuara të universit.
Euklidi duhet të arrijë në L2 brenda katër javësh, pastaj të kryejë dy muaj përgatitje para fillimit të vëzhgimeve shkencore që mund të nisin rreth fillimit të tetorit.
Euklidi do të kryejë studime të gjera dhe të thella të universit, duke bashkuar imazhet për të krijuar një hartë të universit për të ndihmuar në mësimin e dy koncepteve misterioze: materien e errët, e cila përbën rreth 27 për qind të gjithçkaje që ekziston dhe energjinë e errët, e cila llogaritet për rreth 68 për qind të universit. Çdo atom, molekulë dhe pjesë e materies që mund të vëzhgojmë përbën 5 përqindëshin e mbetur të vogël të njohur si lëndë e zakonshme ose barionike.
Ne e dimë se materia e errët dhe energjia e errët duhet të ekzistojnë për shkak të lëvizjeve të galaktikave dhe mënyrës se si zgjerohet universi. Megjithatë, ato janë jashtëzakonisht të vështira për t’u studiuar sepse materia e errët nuk ndërvepron me dritën dhe energjia e errët është një formë e panjohur e energjisë. Pra, për të gjetur prova për to, duhet të shikojmë në një shkallë shumë të madhe.
Teleskopi Euklid do të vëzhgojë 36 për qind të qiellit gjatë misionit të tij gjashtëvjeçar dhe për të vëzhguar një zonë kaq të madhe, teleskopi ka një fushë shumë të gjerë shikimi. Kjo i referohet sasisë së qiellit që mund të vëzhgohet përmes teleskopit dhe në rastin e Euklidit, fusha e shikimit është 2.5 herë më e madhe se madhësia e hënës.
Euklidi do të ketë dy instrumente: instrumentin VISible ose VIS, i cili funksionon në gjatësinë e valës së dritës së dukshme dhe spektometrin me infra të kuqe afër dhe fotometrin ose NISP, i cili funksionon në infra të kuqe afër.
Duke kombinuar vëzhgimet nga të dy instrumentet, vëzhgimet e Euklidit mund të përdoren për të krijuar një hartë 3D që tregon shpërndarjen e materies së dukshme në univers.
Por materia e errët nuk është e dukshme – kjo është arsyeja pse është kaq e vështirë të studiohet.
Nuk mund të vëzhgohet drejtpërdrejt, por prania e tij mund të konkludohet duke parë shpërndarjen e lëndës që mund të shohim./Katror.info