Zhdoganimi i mallrave që kanë destinacion Kosovën ka nisur në portin e Durrës në fillim të këtij muaji.
Zhdoganimi i mallrave në këtë port i mundëson Kosovës të ketë qasje në det, duke lehtësuar kështu depërtimin e bizneseve vendore në tregjet ndërkombëtare. Kryeminstri i Shqipërisë Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale fotot nga procesi i zhdoganimit në portin më të madh të vendit.
“Ja ku ka nisur edhe zhdoganimi në Portin e Durrësit për mallrat me destinacion Kosovën dhe deti ynë nuk është më edhe i Kosovës veç për turizëm, po është edhe i Kosovës për tregti”, ka shkruar ai.
Dogana e Kosovës është vendosur në portin e Durrësit që nga viti 2019, por deri më tani është bërë vetëm regjistrimi i hyrjeve për mallrat që kanë pasur destinacion Kosovën, pa pasur ndonjë ndikim në uljen e kostos apo kohës për biznese e konsumatorë.
Në mbledhjen e fundit në mes të dy qeverive, të mbajtur në qershor të këtij viti, u nënshkrua marrëveshja për analizimin e bashkimit të mundshëm doganor, i cili shënon integrimin tregtar në mes të dy ekonomive.
Përgatiti:
