Në një pritje festive të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, rreth 200 të ftuar, mes tyre 50 ambasadorë dhe diplomatë të shteteve anëtare të OKB-së — përfshirë edhe vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën — si dhe zyrtarë amerikanë e përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shënuan 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, shkruan Katror.info.
Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork, Blerim Reka, theksoi në fjalën e tij përparimin demokratik të Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe NATO-s në rrugëtimin e saj shtetëror.
“Kosova është dëshmi e një shtet-ndërtimi të suksesshëm demokratik, falë luftës çlirimtare kundër kolonializmit, aparteidit dhe gjenocidit. Përgjegjësia jonë është ta forcojmë më tej këtë shtet dhe ta avancojmë pozicionin e tij në arenën ndërkombëtare”, tha Reka.
Në emër të SHBA-ve, John Kelly nga Misioni i Përhershëm në OKB përcolli urimet e popullit amerikan:
“Në emër të popullit të SHBA-ve, ju lutem pranoni urimet më të ngrohta për ditën e Pavarësisë. Lidhjet midis popujve tanë janë të forta. Ky përvjetor është një moment për të nderuar të arriturat e kaluara dhe për të parë drejt një të ardhmeje të ndritur dhe një bashkëpunimi edhe më të ngushtë mes dy shteteve tona.”
Pritja në Nju Jork ishte një dëshmi e mbështetjes ndërkombëtare dhe e përkushtimit të Kosovës për forcimin e pozitës së saj diplomatike në botë./Katror.info