Nora Gjakova ka kaluar në finale të Grand Slamit të xhudos Tbilisi në Gjeorgji, pasi e mposhti kanadezen Jessica Klimkait në një betejë dërrmuese.
Triumfi i Gjakovës nënkupton se Kosova i ka tani dy xhudistë në finale në kategori të ndryshme dhe të paktën dy medalje të argjendta nga kjo garë, pasi Distria Krasniqi është në finale po ashtu, raporton Nacionale.
Në finale e kategorisë -57 kilogramë, Gjakova do të përballet me serben Milica Perisic, e cila në rrethin e tretë e mundi kosovaren Flaka Loxha.
Ballafaqimi me Klimkait doli të ishte më i lodhshmi për kampionen olimpike nga Kosova, pasi asaj iu desh koha shtesë dhe tri shido (ndëshkime me kartonë të verdhë) për kanadezen për ta siguruar finalen, shkruan Nacionale.
Ajo do ta kërkojë titullin e tretë Grand Slam në karrierë dhe të dytin në Gjeorgji, pas atij në vitin 2021.
Në rast disfate, Gjakova do të zërë vendin e dytë, apo medaljen e argjendtë.
Paraprakisht, kampionia tjetër olimpike nga Kosova, Distria Krasniqi, e siguroi një vend në finale në kategorinë -52 kilogramë.
Ajo e mposhti me ippon gjermanen Amber Ryheul në gjysmëfinale.
Në finale për medaljen e artë në kategorinë -52 kilogramë, Krasniqi do të përballet me Diyora Keldiyorova./Katror.info