Noar Osmani, nxënës i klasës së 6/7 në shkollën fillore “Dardania”, ka zënë vendin e tretë në nivel botëror në kategorinë AL (intelegjencës artificiale) gjatë testit online të mbajtur në Olimpiadën STEM!, ka njoftuar shkolla fillore Dardania përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Sukses i Jashtëzakonshëm në Olimpiadën International STEM Olympiad. Noar Osmani, nxënës i klasës së 6/7 në shkollën fillore “Dardania”, ka zënë vendin e tretë në nivel botëror në kategorinë AL (intelegjencës artificiale) gjatë testit online të mbajtur në Olimpiadën STEM! Noari tani do të udhëtojë për në Barcelonë për të përfaqësuar vendin tonë,” thuhet në postim.
Çfarë është Olimpiada Ndërkombëtare STEM?
Olimpiada Ndërkombëtare STEM është një garë ndërkombëtare online, ku marrin pjesë nxënës nga klasa I deri në klasën XXII, me pyetje të dizajnuara sipas parimeve të edukimit STEM.
Olimpiada Ndërkombëtare STEM është krijuar për nxënësit që janë të pasionuar pas STEM-it, por hasin sfida në qasjen ndaj materialeve dhe pyetjeve të fokusuara në STEM. Përmes kësaj Olimpiade, nxënësit jo vetëm që do të eksplorojnë tema dhe pyetje të lidhura me STEM-in, por gjithashtu do të përjetojnë emocionin e garimit dhe të fitimit të çmimeve në një skenë globale.
Kategoria ku ka fituar Noari, është e re, siç shpjegohet në faqen e Olimpiadës STEM.
“Në këtë epokë digjitale, ku informacioni është fuqi dhe qasja ndaj tij është e lehtë, synojmë t’i prezantojmë pjesëmarrësit tanë me Inteligjencën Artificiale (AI) përmes Sfides së përgjigjeve të AI-së. Si komunikohet me Ai-në, çfarë udhëzimesh duhet dhënë dhe çfarë rezultate e të dhëna mund të merren? Kjo sfidë me AI, e cila shërben si pikë hyrëse, do të hapë horizonte të reja për pjesëmarrësit tanë,” thuhet në njoftim.
Tutje shpjegohet se nxënësve iu ofrohet një imazh i përgatitur paraprakisht. Duke vëzhguar këtë imazh, nxënësit do të krijojnë replika për Ai-në, duke përshkruar objektet dhe konceptin e përgjithshëm të paraqitur. Qëllimi kryesor për nxënësit do të jetë përshkrimi i saktë i atributeve si thellësia, madhësia, simetria, ngjyra, objektet dhe kompozimi i përgjithshëm. Me këtë objektiv në mendje, nxënësit do të përdorin AI-në për të krijuar një imazh sa më të afërt ose më të ngjashëm të mundshëm./Katror.info