E shkruar në tri akte, opera më ikonike e mjeshtrit të njohur Guiseppe Verdi me emërtimin “La Traviata” nën regjinë e bullgarit Ognian Draganoff, është jetësuar për herë të parë mbrëmë në qytetin e Prishtinës.
“Jetën” ia ka dhënë magjishëm interpretimi i Operës së Kosovës në bashkëpunim me Operën Shtetërore të Stara Zagorës (Bullgari), Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë (Shqipëri) dhe Filharmonisë së Kosovës, me ç’rast kjo ndërlidhje ka pruar emocione jashtëzakonisht të forta që më së miri vëreheshin nëpër lotët e dhjetëra njerëzve të pranishëm në sallën e sporteve “1 Tetori”, shkruan KultPlus.
Para se koncerti të gjente pikënisjen e vetë, të pranishmit dalëngadalë po zinin vendet e tyre të rezervuara përballë skenës së improvizuar në sallë. Me një pamje e formë krejtësisht ndryshe, skena gjigande merrte vëmendjen e gjithsecilit.
E përshtatur për të shpalosur historinë e operës “La Traviata”, skena ishte “veshur” kokë e këmbë në ngjyrë të kaltër, teksa anash qe e vendosur një tavolinë rrethore me shtatë karrige të vendosura rreth saj, ndërsa në anën tjetër një divan në ngjyrë krem që pas pak do të mirëpriste uljen e personazheve.
Ndonëse, ngjitësi i platformës së vendosur në skenë dallohej edhe nga rreshti i fundit i karrigeve në sallë, kjo nuk pengoi aspak në lëvizjen e lirshme e natyrale të protagonistëve. Në anën tjetër, reflektorët në ngjyrë të kaltër që të jepnin ndjesinë e të qenurit brenda një oqeani të thellë, i dhanë audiencës një përafërsi të pakrahasueshme. Por, ato ndryshonin me kahjen e shpalosjes së akteve, dhe kjo e shtrinte lehtazi ngrohtësinë e historisë së çdo personazhi.
Protagonistët e operës “La Traviata”: Besa Llugiqi (Violetta Valéry), Emanuele D’Aguanno (Alfredo Germont), Gëzim Myshketa (Giorgio Germont), Fitore Gjonbalaj (Flora Bervoix), Kaltrina Miftari (Annina), Urta Haziraj (Annina), Denis Skura (Gastone), Shaban Behramaj (Baroni Douphol), Dragan Ampov (Marchese D’ Obigny), Harris Bajraktari (Doktor Grenvil), Rizah Jahaj (Giuseppe, shërbëtori i Violetës), Jon Kosumi (Shërbëtori i Florës), Arbër Maliqi (Komisioneri) dhe Etrit Nura (Komisioneri), dhanë gjithë shpirtin e tyre për gjatë plot tri orëve.
E gjithë energjia e tyre, pasioni për të hyrë në rolet operistike por mbi të gjitha, dashuria për të shfaqur një nivel botëror për herë të parë në kryeqytet, e ka përthekuar këndshëm historinë e “La Traviata”, një histori kjo e dashurisë tragjike mes kurtizanes Violetta dhe romantikut Alfredo Germont, të dy të vendosur kundër hipokrizisë së shoqërisë së klasës së lartë. Dashuria e Alfredos ndaj saj, e dërgon Violetën drejt aktit të vetëmohimit.
Opera “La Traviata” vendos në skenë një jetë që vetëm ëndërrohet me gjithë magjepsjen, gëzimet dhe dhimbjet e saj. Muzika e saj e kompozuar nga mjeshtri i operës – Verdi, i këndon lirisë, gjallëron pëshpëritjet me një finale me duete plot pasion nga zemrat e lënduara. Tërë ngjarja zhvillohet në Paris dhe në afërsi të këtij qyteti.
Nga karakteri në karakter, protagonistët dilnin në kostumet e tyre që pothuajse ishin të shkrira ëmbëlsisht në trupat e tyre dhe e gjithë kjo vjen e realizuar nga puna e Boris Stoynovit. Me zërat e tyre buçues, unik e shpërthyes, solistët patjetër kanë dëshmuar për një nivel botëror, nëpërmjet së cilit shumë shpejt do arrijnë ta shndërrojnë Operën e Kosovës, ndër institucionet më të njohura në rajon dhe më gjerë.
Nga momenti që ora shënoi fiks 19:07, e deri në 22:04, ka qenë një orkestër e tërë poshtë skenës, që pa të, thjesht nuk do të mund të mendohej as ekzistenca e magjisë së krijuar mbrëmë me “La Traviata”. Filharmonia e Kosovës ka qenë ajo copa kryesore që ka kontribuar në shpirtin e operës, në ekselencën dhe përsosmërinë e saj.
Në krye kanë pasur dirigjentin e njohur bullgar Nayden Todorov dhe lirisht mund të thuhet se çdo lëvizje e krahëve dhe duarve të tij, deri tek ngritja e trupit të tij deri në gishta të këmbëve, ka thyer limitin e perfeksionimit.
Instrumentistët e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës kanë lëshuar melodi e tinguj që kanë rrëqeth me ndjeshmërinë, gjendjen pezulluake që ofrohej nëpërmjet tyre dhe fuqinë që posedonin në një ambient aq të hapur. Dukej se harqet e instrumenteve e çanin atmosferën në grimca melodike që shpërndaheshin në atmosferë dhe bridhnin tek shpirtrat e audiencës.
Marrë nga Kultplus./Katror.info