Orkestra e Filharmonisë së Kosovës e ka nisur vitin 2025 me një koncert të jashtëzakonshëm të mbajtur të premten mbrëma. Nën drejtimin e mjeshtrit italian Jacopo Sipari di Pescasseroli, orkestra solli një përvojë unike muzikore për publikun e pranishëm.
Programi filloi me interpretimin e uverturës ikonike “Finlandia” nga Jean Sibelius, duke i dhënë fillim madhështor mbrëmjes. Më pas, violinistja e njohur shqiptare Abigeila Voshtina mahniti publikun me performancën e saj në Koncertin Nr. 1 të Max Bruch, duke treguar mjeshtërinë dhe ndjeshmërinë e saj artistike.
Pjesa e dytë e koncertit shënoi një moment të veçantë, me premierën kosovare të veprës “Ishulli i të Vdekurve” nga Sergei Rachmaninoff. Kjo vepër e fuqishme dhe emocionuese u prit me duartrokitje të gjata, duke dëshmuar vlerësimin e publikut për përzgjedhjen dhe interpretimin e saj.
Filarmonia e Kosovës do të vazhdojë sezonin me një koncert të radhës më 24 janar 2025, në orën 19:30, në Autostrada Hangar, Prizren. Në këtë ngjarje, Kori i Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, do të sjellë një performancë të shumëpritur./Katror.info