Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, që nis punimet nga java e ardhshme dhe zgjat deri në fund të shtatorit.
Një gjë e tillë është konfirmuar nga Këshilltari për Media e presidentes, Bekim Kupina.
Osmani, sipas Kupinës, do të ketë takime me homologë dhe aktivitete të tjera përgjatë javës së Nivelit të Lartë të mbledhjes se Asamblesë së Përgjithshme.
“Sikurse edhe çdo vit, Presidentja Osmani do të jetë në New York për takime me homologë dhe aktivitete të tjera zyrtare përgjatë Javës se Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, ka deklaruar ai.
Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, do të mbahet nga data 22 shtator deri më 30 shtator.
Osmani theksoi të mërkurën rëndësinë e ruajtjes së aleancës dhe koordinimit të ngushtë gjatë një bisede telefonike me diplomatin amerikan, Brandon Hanrahan, zyrtar i lartë në Byronë e Departamentit të Shtetit për Evropën.
“Aleanca e fortë me SHBA-në ka qenë gjithmonë në dobi të popullit tonë, sigurisë kombëtare, stabilitetit rajonal dhe integrimit euroatlantik. Në cilësinë e presidentes, do të angazhohem me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, për të ruajtur dhe mbrojtur aleancën tonë bazuar në besim dhe bashkëpunim reciprok”, shkroi ajo.
Kjo telefonatë erdhi pas vendimit të DASH-it për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën, kryesisht për shkak të frustrimit gjithnjë e në rritje lidhur me veprimet e qeverisë në detyrë, e cila ka rrezikuar marrëdhëniet me SHBA-në./AP/Katror.info