Kur u bë e ditur se do të jepej shfaqja “Paddington – Shfaqja Muzikore” – një përpunim teatral i klasikës britanike për fëmijë – publiku pat një pyetje të madhe: Si mund të ekzistojë arushi Paddington në një teatër?
Është një gjë ta imagjinosh në libër një arush të sjellshëm, që flet dhe adhuron sanduiçët me marmelatë dhe një gjë tjetër ta krijosh në film me CGI e plotësisht tjetër ta sjellësh atë në jetë në skenë.
Por fotot dhe videot që publikuan krijuesit e shfaqjes në natën e hapjes së saj të shtunën (1 nëntor) zbuluan së fundi saktësisht si ekipi krijues arriti të bëjë një arush të besueshëm që mahnit publikun.
Dy aktorë interpretojnë arushin e vogël nga Peruja — Arti Shah mban kostumin dhe bën performancën fizike, ndërsa James Hameed i jep zërin nga prapaskena dhe kontrollon në distancë shprehjet e fytyrës së Paddingtonit.
Kostumi është punuar nga veterania e kostumeve dhe kukullave Tahra Zafar, dhe përfshin veçmas pallton e kaltër karakteristike dhe kapelën e kuqe të Paddingtonit, si dhe mekanizma që mundësojnë shprehje të fytyrës, si tё mbyllurit e syve.
Rezultati u bë menjëherë viral në TikTok, me mijëra njerëz që komentuan videot ku aktorët përshëndesnin publikun të shtunën në Teatrin Savoy në Londër.
“Duhej ta dokumentoja gjënë më të ëmbël që kam parë ndonjëherë në jetën time në TikTok, sepse SHIHENI ATË! S’e kam menduar kurrë se do të qaja kaq shumë për një njeri në kostum arushi,” shkroi një përdorues që ka mbi 850 000 pëlqime.
Tjetri komentoi: “Nuk dua të tingëlloj dramatik, por do të vdisja për të.”
Shfaqja, me muzikë të shkruar nga themeluesi i grupit McFly, Tom Fletcher, bazohet në filmin Paddington, i cili vetë është bazuar në librin e parë të serisë, A Bear Called Paddington nga Michael Bond.
Historia sjell fillimin e aventurave të Paddingtonit në Britani – mbërritjen e tij në stacionin Paddington në Londër, ku ai gjendet nga familja Brown, me një etiketë në qafë ku shkruan: “Ju lutem kujdesuni për këtë arush. Faleminderit.”
“Arushi Paddington është ndoshta personazhi më ikonë që ka krijuar ndonjëherë Britania,” tha Hameed në një video nga shfaqja, duke shtuar se ai dhe Shah kanë qenë pjesë e krijimit të shfaqjes për tri vjet.
“Publiku mund të presë një histori vërtet të mrekullueshme që trajton shumë çështje të ndërlikuara, por përmes lenteve të afërta dhe të kuptueshme,” shtoi ai.
“Dhe mbi të gjitha, një histori mirësie — diçka që botës i duhet tej mase sot — që tregon se të gjithë janë të barabartë dhe duhet të trajtohen me respekt e dashuri,” përfundoi Shah. /Katror.info
Burimi: CNN
Përktheu dhe përshtati: Katror.info
















