Brenda, duket si një pijetore e zakonshme. Ok, jo aq e zakonshme sepse shërben ushqim tajlandez dhe syri vigjilent i ish-kryeministrit britanik, Winston Churchill, ju shikon nga të gjitha anët nga fotot.
Por lokali i gjatë, kabinat prej druri, çezmat me disa lloje birre dhe qindra shishe pijesh të ndryshme janë aty. Ajo që e bën të veçantë Churchill Arms në një nga vendet më të njohura të Londrës është pjesa e jashtme e ndërtesës, shkruan Travel Case.
Fasada është e mbuluar me qindra kompozime lulesh dhe mijëra lule të gjalla zbukurojnë muret e ndërtesës, e cila ka qenë një strehë për ata që dëshirojnë birrën, ushqimet dhe shoqërimin që nga shekulli i 19-të.
Vetë ndërtesa është ndërtuar në vitin 1750, dhe taverna ka funksionuar në të të paktën që nga shekulli i 19-të. “Ujëvarat” e luleve mbulojnë fasadën, aq sa tablloja e emrit të pub-it mezi mund të shihet përmes tyre, dhe ndërtesa është bërë një nga vendet e preferuara të fotografisë në Londër. Vështirë se ka një influencues apo entuziast të Instagramit që nuk ka bërë disa selfie me petuni dhe irise shumëngjyrëshe. Churchill Arms shpenzon 25,000 £ në vit, ose pothuajse 30,000 €, për të krijuar dhe ruajtur fasadën e saj të lulëzuar, shkruan Katror.info.
Pubi ndodhet në Kensington Church Street, në një nga lagjet më simpatike të Londrës, Notting Hill. Dekorimi fillon çdo pranverë, kur fasada zbukurohet me 100 vazo, 48 kuti dritaresh dhe 42 kosha të varur. Lulet ujiten rregullisht dhe mbahen deri në fund të vjeshtës, dhe në dimër kafeneja fillon me një dekorim pak më ndryshe.
Kur temperaturat nuk lejojnë më dekorime me lule, është koha për dekorime për Krishtlindje! Muret më pas mbulohen me pothuajse 12,000 drita dhe me deri në 90 pemë të Krishtlindjeve dhe degë me gjelbërim të përhershëm, dhe pronarët ndanë disa mijëra paund për këtë. Dekorimi këtu sigurisht nuk është i rastësishëm, por një shpenzim serioz, i cili, me sa duket, e kthen investimin./Katror.info