Saldimi nuk është aspak punë e zakonshme për gratë në Kosovë. Por, Vatër Hyseni, nga Ferizaj, e ka zgjedhur pikërisht këtë profesion. Ajo është inxhiniere e mekatronikës, ndërsa saldimin e ka pasion.
Me punën e saj në një fabrikë veglash, por edhe në punishtet e miqve, ajo thyen paragjykimet se saldimi është profesion vetëm për burra. Ajo saldon punime të zakonshme, por edhe artistike.
“Duhet të jemi të vëmendshëm ndaj gjërave që na pëlqejnë neve, dhe asaj se a është diçka që të përmbush ty si person. Saldimi për mua është diçka terapeutike dhe që më përmbush jashtëzakonisht shumë”, thotë ajo në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Derisa puna salduese shihet përgjithsisht si punë e burrave, Vatra përveç thyerjes së këtij stereotipi, e sheh atë edhe si art e terapi.
”Për mua është një deg është një art në vete, jo domosdoshmërisht ka të bëjë vetëm me konstruksionet e objekteve, por liria që të jep saldimi me kriju çfarëdo lloj objekti që të vjen në mendje, mua kjo më ka tërhequr dhe më ka pëlqyer”, thotë tutje ajo.
Edhe pse Vatra u përballë me paragjykime, familja e saj e mbështeti, ndërsa edhe vet trajnuesit i kishin thënë se është punë burrash, por që ajo me punë ua dëshmoi të kundërtën. /REL/Katror.info