Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të premten në ora 12:00.
Për RTV21, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se partia ka pranuar ftesën dhe se në takim do të marrë pjesë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. “Po, e kemi marrë ftesën dhe kryetari do të marrë pjesë,” ka deklaruar Çitaku.
Pjesëmarrjen e AAK-së në këtë takim e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i partisë, Kushtrim Xhemajli, duke theksuar se kryetari Ramush Haradinaj do të jetë i pranishëm.
Sipas zyrës së presidencës, takimi konsultativ është thirrur për të diskutuar mundësinë e krijimit të një shumice të re parlamentare për formimin e Qeverisë.
Ndryshe, këshilltari për media i presidentes Osmani ka konfirmuar se ftesat janë dërguar për të gjithë liderët e partive politike dhe se takimi do të mbahet nesër në orën 12:00./Katror.info









