Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë është shndërruar këto ditë në një vatër të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar sportiv, ku po zhvillohet një stërvitje intensive me pjesëmarrjen e trajnerëve dhe xhudistëve elitë nga Japonia, Suedia dhe Shqipëria, shkruan Katror.info.
Në kuadër të këtij programi, trajneret e njohura japoneze Misato Nakamura, Tomoe Yokoyama dhe Nami Nabekura po punojnë ngushtë me ekipin e Kosovës në xhudo, nën koordinimin e Kryemjeshtrit Driton Kuka, trajnerit Fatos Tabaku dhe Kampiones Olimpike, Nora Gjakova.
Federata e Xhudos së Kosovës thekson se ky bashkëpunim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të sjellë përvojat më të mira botërore në Kosovë dhe për të ngritur më tej nivelin e sportistëve tanë.
Përveç trajnerëve nga Japonia, Peja ka mirëpritur edhe xhudiste nga Suedia dhe Shqipëria, të cilat po stërviten së bashku me ekipin kosovar, duke ndarë njohuri dhe eksperienca në tatami.
“Xhudo është më shumë se një sport – është një disiplinë, një kulturë dhe një urë që na lidh me botën”, thuhet në njoftimin e Federatës së Xhudos së Kosovës.
Kjo stërvitje ndërkombëtare vjen si dëshmi e reputacionit që ka fituar xhudoja kosovare në arenën ndërkombëtare dhe përkushtimit për zhvillimin e vazhdueshëm të këtij sporti në vend./Katror.info