Në palestrën “Karagaçi” në Pejë do të zhvillohet Final4 i Kupës së Republikës së Kosovës në hendboll.
Siç ka njoftuar Federata e Hendbollit e Kosovës, vendimin e mori bordi, pas përfundimit të afatit për paraqitjen e ofertave.
Besa Famgas ishte klubi i vetëm që shfaqi zyrtarisht interesim për organizimin e turneut final të Kupës.
“Klubi pejan i plotësoi të gjitha kushtet e paraqitura dhe të premten është firmosur marrëveshja. Marrëveshjen e kanë nënshkruar sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci dhe sekretari i klubit Besa Famgas, Arben Gashi”, thuhet në njoftim.
Final 4 i Kupës së Republikës së Kosovës mbahet pas një jave, më 27 e 28 prill.
Gjysmëfinalet në të dy konkurrencat janë të shtunën, më 27 prill, ndërsa finalet të dielën, më 28 prill./Katror.info