Ka përfunduar takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe liderëve të partive politike, ku u diskutua mbi mundësinë e formimit të një qeverie të re dhe përgatitjet për zgjedhje të reja.
Pas takimit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka pranuar të flasë para mediave, duke u shprehur shkurt se “Kushtetuta dhe ligjet janë të qarta”.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se nuk ekziston shumicë parlamentare për formimin e qeverisë. Ai shtoi se tani i takon presidentes Osmani të vendosë për datën e zgjedhjeve të reja. Gjatë takimit u diskutua edhe për planin e rritjes, trajtimin e një faze kalimtare të buxhetit dhe kalimin e buxhetit të vjetër.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se presidentja ka kërkuar sqarime në lidhje me shumicën parlamentare dhe mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për buxhetin dhe fondin e zhvillimit nga BE. Ai konfirmoi se zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen më herët, me 7 dhjetor si opsion të mundshëm.
Ndërsa, Kryetari i PDK-së, Memeli Krasniqi, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, deklaroi se askush nuk mund të krijojë shumicën parlamentare me legjislaturën aktuale. Ai shtoi se kjo e bën të domosdoshme shpalljen e zgjedhjeve të reja, të cilat PDK konsideron se duhet të mbahen brenda afatit kushtetues, me datën e mundshme më së voni më 5 nëntor. Krasniqi kritikoi gjithashtu kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai ka humbur kohë dhe po merr vendime jashtë ligjit, pa mundur të sigurojë shumicën parlamentare./Katror.info



 
			



 
                                
                             

