Është përuruar rruga në mes fshatrave Davidovc-Godanc të Shtimes, e cila pritet të përmirësojë qarkullimin dhe lidhjen infrastrukturore në këtë pjesë të vendit.
Ministri në detytë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka marrë pjesë në përurimin e kësaj rruge të re në komunën e Shtimes, për të cilën tha se po ofrojnë qarkullim më të mirë.
“Ministria në marrëveshje, në memorandum bashkëpunimi me komunën e ka bërë financimin e kësaj rruge, pra unë e falënderoj shumë kryetarin që buxhetin e ministrisë po arrin në veçanti me Komunën e Shtimes, me shpenzu tamam ashtu si duhet, me rrugë kualitative të cilat janë mjaft të rëndësishme për qytetarët sepse krijon mundësi qarkullimi sa më të mirë, mobilitet sa më të rregullt brenda komunës. Kjo rrugë është definitivisht një rrugë e rëndësishme për komunitetin këtu dhe afërsia me qytetarët për mua si ministër po realizohet përmes kryetarit të komunës të cilin unë e falënderoj shumë”, tha ai.
Përveç tij, prezent ishte edhe kryetari i komunës së Shtimes, Qemajl Aliu i cili u shpreh se rruga që përshkon 5.5 km e që ka kushtuar 900 mijë euro, është një investim që do të ndihmojë shumë në ndërlidhjen e fshatrave të kësaj komune.
“Ky është një projekt i cili ka kushtuar diku 900 mijë euro dhe ka trajtuar diku rreth 5.5 km rrugë, ku gjysma është rrugë e re, këtu ku jemi, që e lidh fshatin Davidovc me fshatin Godanc e përmes këtyre fshatrave pastaj krijon edhe një lloj kolaterali për të gjitha fshatrat tjera, si dhe trajtimi dhe rivitalizimi i rrugës Davidovc këtu përballë Davidovc-Rashincë-Muzeqinë, një rrugë në të cilën nuk është ndërhyrë qe 20 vite, ka qenë rrugë e demoluar. Do të thotë, ky investim është investim mëse i qëlluar dhe i shumëpritur për të gjithë qytetarët e komunës sonë”, tha ai, raporton KosovaPress..
Gjatë vizitës së tij, ministri në detyrë, ka inspektuar gjithashtu nga afër punimet që po zhvillohen në kuadër të rregullimit të shtratit të lumit në këtë komunë, duke vlerësuar angazhimin e institucioneve lokale dhe bashkëpunimin me ministrinë për përmbushjen e standardeve të nevojshme për mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë infrastrukturore./Katror.info