Nga data 3 prill 2025, Policia e Kosovës do të fillojë dërgimin e gjobave të trafikut në adresën e pronarit të automjetit për kundërvajtjet e identifikuara përmes kamerave dhe radarëve.
Sipas njoftimit të Policisë, gjobat do të dërgohen në dy mënyra: përmes Postës së Kosovës ose përmes platformës e-Kosova. Pronari i automjetit do të pranojë gjobën në adresën e tij dhe, nëse nuk ka qenë drejtuesi i mjetit në momentin e shkeljes, ai është i detyruar të sigurojë të dhënat e shoferit. Mosdorëzimi i këtyre të dhënave mund të sjellë masa ligjore për personat fizikë dhe juridikë, në përputhje me nenin 254 të Ligjit nr. 08/L-186.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se qytetarët mund të përfitojnë një zbritje prej 50% nëse pagesa e gjobës bëhet brenda afatit ligjor. Gjithashtu, ata kanë të drejtën e ankesës në rast se nuk pajtohen me gjobën e vendosur.
Ndërkaq, qytetarët që kanë shitur një automjet këshillohen të njoftojnë autoritetet dhe të kryejnë transferimin e pronësisë, për të shmangur gjoba apo shqetësime të panevojshme.
Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kontribuojnë në sigurinë rrugore. /Katror.info
Përgatiti:
