Filatelia e Postës së Kosovës ka vënë sot në qarkullim emisionin e ri të pullave postare me temën “Flora shëruese dhe aromatike”, shkruan Katror.info.
Ky emision prezanton disa nga bimët më të njohura me veti shëruese dhe aromatike në Kosovë, duke reflektuar pasurinë natyrore dhe rëndësinë e këtyre bimëve në traditën vendase.
Në mesin e specieve të përfshira është kamomili (Matricaria chamomilla), një bimë barishtore njëvjeçare që rritet në livadhe dhe fusha të hapura. I njohur për lulet e bardha me aromën e tij karakteristike, kamomili ka qenë i përdorur për qëllime shëruese që nga kohët e lashta. Po ashtu, pjesë e kësaj serie është kantarioni (Hypericum perforatum), një bimë shumëvjeçare me lule të verdha apo të kuqe, që rritet kryesisht në livadhe dhe pyje, dhe që njihet për vetitë e tij të dobishme në mjekësinë popullore.

Një tjetër bimë e përfshirë është lavanda (Lavandula angustifolia), një shkurre aromatike që lulëzon nga qershori deri në gusht dhe është e njohur për esencën e saj qetësuese. Lavanda rritet në zona me klimë të butë mesdhetare, duke e bërë atë një bimë të veçantë në koleksionin e florës së Kosovës. Ndërkaq, dëllinja e zezë (Juniperus communis) është një shkurre me rritje të ngadaltë, e përhapur kryesisht në Bjeshkët e Nemuna dhe Malet e Sharrit. Frutat e saj, të cilat fillimisht janë të gjelbra dhe më pas marrin një nuancë të zezë-vjollcë, janë të njohura për përdorimin e tyre në mjekësinë tradicionale.
Emisioni i ri i pullave postare synon të promovojë florën vendase dhe të nxisë ndërgjegjësimin mbi vlerën e bimëve shëruese dhe aromatike të Kosovës. Pullat janë të disponueshme në të gjitha zyrat postare të vendit dhe do të jenë në qarkullim deri në konsum të plotë./Katror.info