Në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren, sonte do të jepet premiera e shfaqjes “Komedia e Zezë”, një vepër nga dramaturgu britanik Peter Shaffer, e sjellë në skenë nën regjinë e Ilir Bokshit.
Shfaqja eksploron absurditetin e jetës moderne përmes humorit të zi dhe tensionit dramatik, duke ofruar një përjetim unik dhe provokues për publikun. Me një ndërtim të zgjuar skenik dhe situata të papritura, “Komedia e Zezë” premton të sjellë emocione të forta dhe të qeshura të mprehta.
Në këtë vepër interpretojnë aktorë të njohur të skenës teatrore kosovare: Ernest Malazogu, Liridona Shehu-Bytyqi, Hajat Toçilla, Xhevdet Doda, Alban Krasniqi, Alban Çeka, Valmira Hoti dhe Alban Morina, të cilët me paraqitjen e tyre premtojnë një performancë të paharrueshme.
Shfaqja do të jepet sonte në orën 20:00 në ambientet e Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren. Të gjithë dashamirët e teatrit ftohen të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje kulturore të rëndësishme./Katror.info