Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në urimin e tij, Presidenti Steinmeier ka riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për sovranitetin dhe rrugën evropiane të Kosovës, duke rikujtuar se Gjermania ishte ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008.
“Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë, qoftë në politikat e sigurisë, në reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë”, theksoi ai në mesazhin e urimit.
Steinmeier vlerësoi gjithashtu qëndrimin e Kosovës në politikën e jashtme, duke nënvizuar mbështetjen e saj për Ukrainën kundër agresionit rus, në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.
“Gjermania mbështet në mënyrë të pandryshuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe dëshiron që ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, shtoi ai.
Në përmbyllje të urimit, Presidenti gjerman ritheksoi përkushtimin e Gjermanisë për të mbështetur stabilitetin, zhvillimin dhe integrimin evropian të Kosovës, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve do të vazhdojnë të forcohen./Katror.info