Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC), një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme, njoftoi kështu zyra e Presidencës së Kosovës, transmeton Katror.info.
“Gjatë qëndrimit të saj në Mynih, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime me liderë botërorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të rëndësishme të politikës globale, me fokus forcimin e partneritetit strategjik dhe avancimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Përveç takimeve, ajo do të marrë pjesë në panelet e diskutimit, ku do të trajtohen çështje të sigurisë globale, stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Konferenca e Sigurisë në Mynih, e themeluar në vitin 1963, shërben si një platformë për promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve me synimin e adresimit të sfidave të sigurisë dhe paqes në nivel global./Katror.info