Kush thotë se një fustan duhet të ketë vetëm një ngjyrë apo model?
Në një kohë kur, për shkak të “fast fashion”, veshjet janë kthyer në mallra konsumi, dhe dollapët janë mbushur plot, një zgjidhje interesante dhe novatore vjen nga një burim disi i pazakontë.
Adobe është e njohur për shumicën si kompania që krijoi Photoshop-in, por në konferencën e tyre ata prezantuan edhe një ide inovative që mund të zvogëlojë numrin e artikujve të veshjeve në dollapët tanë, duke lejuar në të njëjtën kohë të gjithë të shprehin personalitetin dhe individualitetin e tyre.
Në një video nga konferenca e Adobe MAX Sneaks 2023, studiuesja Christine Dierk prezantoi një fustan në dukje të thjeshtë pa mëngë, i cili me shtypjen e një butoni bëhet një fustan interaktiv me ngjyra dhe modele të ndryshme, shkruan Katror.info.
E krijuar si pjesë e projektit të Adobe’s Primrose, fustani digjital, siç e përshkruan Dierk, i jep jetë pëlhurës së zakonshme.
Ndryshe nga veshjet tradicionale, të cilat janë statike, Primrose më lejon të rifreskoj pamjen time në një moment, theksoi ajo, duke treguar të gjitha mundësitë e veshjes. Kështu, fustani i bardhë në dukje i zakonshëm u bë me vija argjendi, madje edhe me shkëlqim, dhe mjaftonte vetëm një shtypje e një butoni në telekomandë. Veshja mund të ketë edhe animacione që ndjekin lëvizjet e trupit, gjë që sjell një dimension shtesë të modës në digjitale.
Edhe pse gjatë konferencës Dierk nuk dha asnjë specifikim teknik të vetë veshjes, në fakt është ky rezultat i një studimi që ajo prezantoi me kolegët e saj nga Adobe vitin e kaluar.
Një artikull që shoqëroi prezantimin vitin e kaluar shpjegoi se fustani përbëhet nga “module që reflektojnë dhe përhapin dritën” të bëra nga kristale të lëngëta dhe polimere, të ngjashme me ndriçimin inteligjent. E thënë thjesht, çdo veshje është në fakt një ekran i vogël.
Është menjëherë e qartë se ky fustan nuk mund të futet në lavatriçe dhe është e diskutueshme se sa komod është për t’u veshur. Para së gjithash, sepse të gjithë ato ekrane të vogla së bashku kanë një peshë të caktuar dhe ju duhet të shtoni baterinë që i fuqizon të gjitha.
Por është interesante të shihet se në cilin drejtim shkojnë studiuesit kur zhvillojnë veshje të gjeneratës së re. Kujtojmë se deri më tani kompani dhe stilistë të shumtë kanë luajtur me idenë e veshjeve interaktive, digjitale dhe aksesorëve të modës. Në vitin 1999, Alexander McQueen e vendosi supermodelen në një piedestal, ndërsa dy robotë e spërkatën me shkumë dhe i lyen fustanin e bardhë në të verdhë dhe të gjelbër. Vitin e kaluar, shtëpia franceze e dizajnit Coperni spërkati një pëlhurë të quajtur fabrican mbi modelin, duke krijuar një fustan direkt në pistë. Nuk duhet të harrojmë Honor, i cili prezantoi konceptin e tij të një telefoni të modës që mund të bartet si çantë këtë vit në panairin IFA në Berlin./Katror.info