Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë (PriFest) zhvillohet çdo vit në shtator në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, shkruan Katror.info.
PriFest ka njoftuar se kanë filluar përgatitjet për vitin 2023 me lansimin e PriGlobal dhe PriDox si javë të filmit të ndara nga ngjarja kryesore që do të mbahet në shtator.
“Nga 24 deri më 28 prill, PriGlobal sjell një përzgjedhje të jashtëzakonshme të filmave të pavarur artistik në qendër të qytetit, në Kino Armata. Tregime prej vendeve të ndryshme të botës që të nxisin të mendosh, të realizuara me qasje regjisoriale inovative, të shpalosura në 5 ditë të bukura pranvere… po na pret diçka e bukur!” thuhet në komunikatën e PriFest.
Përzgjedhjen e filmave për PriGlobal e ka bërë Claudia Landsberger.
“Jo shumë më vonë, prej 6 deri më 10 qershor, do ta mirëpresim debutimin e PriDox. Programi i mirënjohur i filmave dokumentar u themelua si kategori jogaruese e kalendarit të PriFest në 2011, evoluoi në një program garues në 2017, dhe tani po shkëputet për t’u bërë një ngjarje e veçantë që selekton dhe prezanton punimet më mbresëlënëse në fushën e krijimit të filmave dokumentarë. Përzgjedhjen e filmave për PriDox do ta bëjë Alush Gashi”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga PriFest. /Katror.info