Koncerti me të cilin është hapur “Prishtina Jazz Festival” ka qenë dëshmi jo vetëm e mjeshtërisë në interpretim, por edhe e krijimtarisë së jazz-skenës vendore. “Prishtina Jazz Orchestra” ka bashkuar emrat më eminentë të Kosovës dhe ka sjellë vepra origjinale të kompozitorëve e muzikantëve vendorë në një rrëfim muzikor që harmonizon jazzin me ritmet e muzikës shqiptare, shkruan KOHA.
Skena muzikore e Prishtinës është e pasur me ngjarje kulturore, veçmas me festivale që përqendrohen në zhanre të veçanta e shënjestrojnë instrumente të veçanta. Për jazzin, frymë unike është “Prishtina Jazz Festival”.
Sivjet ngjyrat e tij i ilustrojnë emra të shquar të muzikës. Prijatar i edicionit të 12-të ka qenë koncerti nga “Prishtina Jazz Orchestra” e repertori me vepra origjinale të vetë interpretuesve. Folklori është njëra prej frymëve që shkrihet në muzikën jazz, e muzika shqiptare është bërë një me të.
Të enjten mbrëma në teatrin “Oda” ka nisur rrugëtimi i sivjetmë nëpër ritmet e muzikës jazz. Aty do të zhvillohet krejt programi. Shenja e vetme e ngjarjes aty është vetëm projektimi i emrit të festivalit me ngjyra të zbehta në prapavijën e skenës ku kanë interpretuar. Ajo që nuk është as skenë tamam, por thjesht dysheme e sheshtë ku luajnë aktorët dhe ka marrë kuptim kur anëtarët e orkestrës kanë nisur të zënë vendet e tyre dhe të sjellin ritmet e bukura të jazzit.
Artikulli i plotë këtu.