Prishtina është pajisur me 100 biçikleta të reja, të cilat mund të shfrytëzohen nga qytetarët për transport publik.
Lajmin e ka bërë të ditur i pari i kryeqytetit, Përparim Rama, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.
“100 biçikleta të reja të cilat do të përdoren për transport publik tashmë kanë ardhur, dhe shpejt fillojmë me krijimin e 10 stacioneve ku do të vendosen.
Në të njejtën kohë jemi duke krijuar shtigje të reja për biçikleta, të cilat do të lehtësojnë udhëtimin me to, duke e bërë më të sigurt.
Përdorimi i biçikletës ndihmon në reduktimin e ndotjes së ajrit e po ashtu në përmirësimin e shëndetit tonë fizik e mendor”, thuhet në njoftim.
Komuna e Prishtinës në gusht të këtij viti kishte nënshkruar kontratën për blerjen e biçikletave të qytetit dhe se afati i implementimit të këtij projekti ka qenë 60 ditë.
Qytetarët e Prishtinës, së shpejti do t’i kenë në dispozicion biçikletat, të cilat mund t’i shfrytëzojnë gjatë ditës./Katror.info