Në seancën e djeshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, partitë politike u dakorduan që shuma e falur për tatimin në pronë të jetë 75 euro, e jo 100 sa ka qenë mundësia e paraparë.
Ndërkaq sot procedura e lehtësimit prej 75 euro për secilën faturë të rritur të tatimit në pronë në 2023, është shpjeguar nga nënkryetarja e komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu.
“Qytetarët e Kryeqytetit me fatura tatimi në pronë deri në 75 euro në 2023 janë të liruar nga pagesa në 2024. Një faturë e paguar në 2023 në shumë prej 125 euro do të kompenzohet 75 euro në faturën e 2024. Qytetarët me fatura mbi 75 euro të pa paguara në 2023 do të paguajnë vetëm diferencën në 2024”, thuhet në njoftimin e Sahatçiut.
Ky është një lehtësim i barrës së shtuar për qytetarët në njërin ndër vitet më të vështira në përballje me koston e jetesës. Një barrë që ne e kemi konsideruar të padrejtë sepse kemi besuar që ka qenë e mundshme shtyerja e hyrjes në fuqi të tarifave të reja nga rivlerësimi i pashmangshëm në nivel qëndror. Meqenëse nuk u evitua si barrë nga niveli qëndror, ideja që mos votimi i “faljes” së barrës më vonë nga pushteti lokal të propagandohej si fajësim ishte poashtu i padrejtë”.
“Vendimet politike jo gjithmonë janë të lehta; karshi qytetarëve, karshi qëndrimeve e bindjeve politike, karshi partnerëve qeverisës, e karshi opozitës. Rrallë e hiq po shohim shembuj nëpër Kosovë kur vendimet mirren për të mirën e përbashkët, të drejtën, parimet. Një rast i tillë ishte sot. Një rast të tillë si ky, jam krenare që po arrijmë të sjellim si kulturë qeverisëse në vazhdimësi në Prishtinë”, thuhet tutje në njoftim./Katror.info