Një trend i ri po përhapet me shpejtësi sidomos te njerëzit që punojnë në ambiente të ngarkuara, me ritme të larta dhe pritshmëri të vazhdueshme: “Quiet Vacationing”. Ky term i referohet pushimeve që merren në heshtje, pa njoftuar askënd, as kolegët, as eprorët dhe shpesh as rrjetet sociale. Në vend që të dërgojnë emailin klasik “jam me pushime”, shumë persona po zgjedhin të thonë se “po punojnë nga distanca”, ndërkohë që realisht janë në plazh, në një qytet tjetër, ose duke kaluar një kohë të qetë në natyrë, përcjell TAR.
Kjo nuk lidhet domosdoshmërisht me mashtrim, por me një lodhje të ndjeshme kolektive. Shumë persona ndihen të vëzhguar vazhdimisht, sikur duhet të justifikojnë çfarë bëjnë, pse pushojnë, sa punojnë dhe kur janë të disponueshëm. Kultura moderne e efikasitetit i ka bërë njerëzit të ndihen fajtorë duke pushuar, sikur pushimi duhet të meritohet dhe jo të jetë e drejtë natyrore. Prandaj, “quiet vacationing” është një akt i vogël rebelimi ndaj idesë se duhet të jemi produktivë çdo minutë.
Një pjesë e madhe e njerëzve që praktikojnë këtë trend raportojnë se ndihen më të qetë, më të lirë dhe më pak të stresuar. Pushimi pa presionin e postimeve, pa fotografitë e detyruara, pa krahasimet me të tjerët krijon një lloj paqeje të brendshme që rrallë gjejmë në udhëtimet e zakonshme. Është një kthim tek pushimi si përvojë personale, jo si performancë për t’u treguar.
Por ka edhe një arsye emocionale më të thellë: dëshira për t’u shkëputur nga rolet. Kur njeriu është në shtëpi, është punonjës, prind, partner. Kur largohet fshehurazi për pak ditë, fiton sërish ndjenjën e të qenit thjesht “vetja”. Kjo rikthen ekuilibrin dhe lehtëson ankthin. /Katror.info



 
			



 
                                
                             

