Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), një delegacion nga Komanda e Logjistikës së FSK-së, i kryesuar nga Zëvendëskomandanti Kolonel Mehmet Lladrovci, ka realizuar një vizitë zyrtare në Komandën Mbështetëse të FARSH-së dhe strukturat vartëse të saj, shkruan Katror.info.
Delegacioni u prit me nderime nga autoritetet ushtarake shqiptare, përkatësisht nga Komandanti i Komandës Mbështetëse, Gjeneral Brigade Aleksandër Pando dhe stafi i tij. Vizita përfshiu gjithashtu edhe takime në fushën shëndetësore, ku mysafirët nga Kosova u pritën nga Zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore, Gjeneral Brigade Vehbije Kuti dhe ushtruesja e detyrës së Drejtorit të Inspektoratit Shëndetësor të FARSH, Nënkolonel Marinela Mjeda.
Gjatë vizitës, delegacioni i FSK-së u informua gjerësisht mbi strukturën organizative, kapacitetet logjistike dhe shëndetësore të ushtrisë shqiptare. Palët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave dhe mundësitë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e logjistikës dhe të mbështetjes shëndetësore ushtarake.
Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit strategjik ndërmjet FSK-së dhe FARSH-së, duke rikonfirmuar përkushtimin e përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin në rajon./Katror.info