Ylli i njohur i botës së artit, këngëtarja e njohur Rita Ora, ka zbuluar se viti i ardhshëm e gjen me një projekt të jashtëzakonshëm që lidh edhe Kosovën.
Këtë e bëri të ditur vet ajo, pa dhënë shumë detaje tjera, gjatë takimit që pati sonte me kryeministrin, Albin Kurti. .
”Ne kemi bërë një punë kaq frymëzuese deri më tani dhe sot ka qenë një takim vërtet emocionues dhe frymëzues. Dhe unë mendoj se ne kemi një projekt të jashtëzakonshëm për të pritur vitin e ardhshëm. Dhe ky udhëtim dhe ky takim më kanë emocionuar për të ardhmen”, ka thënë ajo.
Zyra e kryeministrit ka dhënë më shumë detaje për takimin e Kurtit me Rita Orën, bashkëshortin e saj Taika Waititin si dhe aktoren Odessa Rae.
Rita Ora e vizitoi vendlinjen në rastin e ditëlindjes së saj. Ajo vazhdimisht nëpër intervista në media ndërkombëtare ka përmendur Kosovën. Siç ka njoftuar ZKM-ja në këtë takim është folur edhe për bashkëpunimet potenciale në fushën e muzikës dhe filmit, sidomos për mbështetje të artistëve kosovarë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim artisten e mirënjohur nga Kosova, Rita Ora, njëkohësisht Ambasadore Nderi e Kosovës, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj regjisori Taika Waititi, si dhe aktorja e producentja Odessa Rae, të dy fitues të çmimeve Oscar, e po ashtu edhe nga babai i saj, Besnik Sahatçiu si dhe motra Elena Ora.”
“I pranishëm në takim ishte dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Drejtorja e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri. Një e diel e veçantë, ku Rita Ora feston dhe ditëlindjen e saj të 33-të. Gjatë këtij takimi miqësor, ata folën për fushën e artit e kulturës në Kosovë. Duke pasur parasysh planet e qeverisë për zhvilluar industrinë e filmit vendor, u theksuan marrëveshjet e bashkëpunimit që Kosova ka me vendet e saj partnere në fushën e filmit, ku u veçua ai me shtetin e Francës,” thuhet në komunikatë.
U trajtuan dhe mundësitë e format e bashkëpunimit me qëllim të promovimit të kulturës shqiptare jashtë vendit, përmes artistëve, muzikantëve e regjisorëve të rinj.
Kryeministri Kurti e cilësoi këtë të diele të këtij takimi të paharrueshme. Duke e uruar dhe për ditëlindjen e saj, ai tha se Rita Ora na bën krenarë të gjithëve, me punën e kontributin e saj.
Nga ana e saj, Rita Ora tha se kjo ishte një mënyrë e jashtëzakonshme për të kaluar këtë ditë të veçantë për të, si dhe veçoi ardhjen e saj në Kosovë sot si dhe takimin me Kryeministrin duke i quajtur frymëzues.
Ajo theksoi dëshirën për t’u angazhuar më tej e thelluar bashkëpunimin sidomos për të kontribuar për artistët e rinj nga Kosova, veçanërisht nga bota e muzikës dhe filmit./Katror.info