Kanë hyrë në fuqi në Bashkimin Evropian rregulla të reja për transparencën e modeleve të inteligjencës artificiale (AI) me përdorim të përgjithshëm, si ChatGPT dhe Gemini. Sipas këtyre rregullave, zhvilluesit duhet të zbulojnë se si funksionojnë modelet e tyre dhe cilat të dhëna janë përdorur për trajnimin e tyre,. Për modelet më të avancuara, të cilat mbartin rreziqe më të mëdha, kërkohet dokumentimi i masave të sigurisë. Këto rregulla forcojnë mbrojtjen e të drejtave të autorit, pasi zhvilluesit detyrohen të deklarojnë burimet e të dhënave që përdorin, përfshirë edhe nëse i kanë mbledhur automatikisht nga interneti, percjell TAR.
Gjithashtu, kërkohet zbatimi i masave për mbrojtjen e pronës intelektuale. Të 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të njoftojnë Komisionin Evropian se cilat institucione kombëtare do të jenë përgjegjëse për zbatimin e rregullave. Ky ligj ka shkaktuar tensione mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi kompanitë amerikane, përfshirë Google dhe Meta, janë skeptike ndaj këtyre rregullave që mund të ngadalësojnë zhvillimin e teknologjisë së AI-së në Evropë.
Megjithëse BE-ja ka publikuar një kod praktikash të mira, shumë kompani të mëdha amerikane kundërshtojnë ligjet që kërkojnë më shumë mbikëqyrje dhe përgjegjësi. Zhvilluesit që shkelin ligjin mund të gjobiten deri në 7 për qind të të ardhurave të tyre globale. Ligji përfshin edhe dispozita për sistemet e AI-së me rrezik të lartë në sektorë të ndjeshëm, si arsimi, infrastruktura energjetike dhe kontrolli kufitar. /Katror.info