Rreth 1.8 milionë banorë në Kosovë llogaritet të jenë përdorues të telefonisë mobile.
Të dhënat i ka publikuar Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Ky institucion ka publikuar raportin “Pasqyrë e Tregut të Komunikimeve Elektronike”, i cili përfshinë ecurinë e indikatorëve kryesorë të tregut për tremujorin e katërt të vitit 2022.
“Numri total i përdoruesve të telefonisë mobile në fund të tremujorit të katërt (TM4-2022) është 1,783,419 përkatësisht për 8.3% më i ulët krahasuar me tremujorin paraprak TM3-2022, ndërsa 0.03% më i lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM4-2021)”.
Gjithashtu kujtojmë se në vitin 2018 Kosova edhe zyrtarisht funksionalizoi kodin shtetëror të telefonisë mobile.
Kodi shtetëror telefonik Kosovës i është ndarë në dhjetor të vitit të 2016 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU). Ky kod, ishte rezultat i bisedimeve në Bruksel, ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian./Katror.info