Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit, Alda Bardhyli zhvilloi një vizitë në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” të Prishtinës.
E shoqëruar nga Sibel Halimi, drejtoreshë e Drejtorisë të Kulturës të Prishtinës dhe drejtoresha e Bibliotekës, Naime Beqiraj, Alda Bardhyli u njoh nga afër me punën dhe fondin e librave në bibliotekën në qendër dhe në degët e saj, në pjesë të tjera të kryeqytetit si dhe në fshatrat e komunës së Prishtinës, shkruan atsh.
Të tri drejtoreshat ranë dakord për thellim të bashkëpunimit në mes të tri institucioneve kulturore, letrare dhe artistike, këmbim të librave, përvojave, ngjarjeve dhe autorëve.
“Bashkëbiseduam për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në funksion të promovimit të letërsisë shqipe, me theks të veçantë në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta kulturore e letrare”, u shpreh Sibel Halimi.
Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës së Prishtinës tha se e njohu kreun e QKLL-së me krijimin e hapësirave të reja për kulturë dhe art në Prishtinë si dhe për dinamikën e angazhimeve në fuqizimin e lexueshmërisë sidomos tek gjeneratat e reja, shkruan GazetaTema.
Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, gjendet në Prishtinë në kuadër të Panairit të Librit “Prishtina 2025” i cili çeli ditën e mërkurë (11 qershor) edicionin e tij të 25-të./Katror.info