Filmi “Rrugës” (On the Way), i regjisorit të mirënjohur kosovar, Samir Karahoda, është përzgjedhur për të garuar në Garën Ndërkombëtare të Festivalit të 47-të të Filmit të Shkurtër Clermont-Ferrand, i cili do të mbahet nga 31 janar deri më 8 shkurt 2025 në Francë.
Clermont-Ferrand, i njohur si festivali më i rëndësishëm në botë për filmat e shkurtër, e bën këtë përzgjedhje një sukses të madh për kinematografinë tonë. Nga mbi 8,500 aplikime, “Rrugës” është një nga vetëm 62 filmat që arritën të përzgjidhen për këtë garë prestigjioze ndërkombëtare.
Ky është filmi i tretë i Samir Karahodës që përzgjidhet për këtë festival, duke dëshmuar vazhdimësinë e tij si një zë i fuqishëm dhe artistik në botën e filmit.
Kujtojmë se regjisori kosovar me “Rrugës” ishte përzgjedhur edhe për premierë në Festivalin e Filmit në Kanë të këtij viti, duke garuar kështu për çmimin kryesor, Palmën e Artë për Film të Shkurtër. /Katror.info