Amra Hyseni, një 14-vjeçare, e lindur dhe e rritur në Zvicër, me origjinë shqiptare, është bërë kampione e botës në karate.
Në një intervistë Hyseni shpalosi se si fëmijë i ka pëlqyer ky sport si dhe diku para 6 vitesh ka filluar të merret seriozisht dhe profesionalisht me këtë sport.
Ajo tregon se si kishte lënduar dorën në një incident me një shok klase dhe i është dashur të pauzojë gjashtë muaj nga ushtrimi në karate.
“Po unë e kam pas një lëndim shumë të madh, u kanë te dora, pastaj unë e kam lanë gjashtë muaj karatenë dhe më është dashur të shkoj në operim i cili ka zgjatë dy orë”, ka thënë Hyseni.
Pasioni që Hyseni ka për karatenë, bëri që ajo sot të jetë kampione e botës në këtë sport. Ajo tregon se si shkonte vetëm të shikonte të tjerët duke ushtruar, gjatë kohës sa ishte e lënduar.
“Kur e kam vërejt që pa karate s’po muj, shkojsha veç me shiku të tjerët tu ushtru, pastaj kam marrë ftesë për kampionatin botëror edhe pse i kam pasë gjashtë muaj pauzë”, është shprehur Hyseni.
Hyseni tregon që për fillimet e saj në karate, një shtysë e madhe ka qenë nëna e saj e cila e ka inkurajuar shumë që të fillojë karatenë.
“Nëna ime më ka inkurajuar që ta zgjedh karatenë, çdo herë më ka thënë pse ti Amra nuk po shkon diçka speciale, futbolli, basketbolli e volejbolli këto janë të përditshme”, tregoi Hyseni./Katror.info