Qytetari nga Mitrovica, Ibrahim Gashi, ka dhënë një shembull të mirë për shoqërinë duke mbushur minibibliotekën me libra.
Kjo bibliotekë në sheshin e Mitrovicës e emëruar para pak kohësh ”Melihate Deva”, u zbraz pasi që librat vetëm po tërhiqeshin dhe nuk po ktheheshin më në rafte. Prandaj, Gashi furnizoi atë me tituj të ndryshëm të librave nga biblioteka e tij personale, shkruan platforma Jepi Zë, në Facebook, përcjell Katror.info.
Sipas këtij shkrimi ky veprim ishte bërë me mendimin që qytetarët të marrin libra dhe pasi t’i lexojnë t’i rikthejnë sërish në raftet e biblotekës.
Shembujve të tillë i paraprijnë edhe veprimet vullnetare për të cilat Katror.info ka shkruar edhe me pare në kuadër të Vullnetarizmit.
Javë më pare Xhezide Selimi, poete dhe juriste filloi iniciativën për vendosjen e minibibliotekave publike duke përdorur kabinat e pashfrytëzuara telefonike, në qytetin e Vitisë, Gjilanit dhe Mitrovicës./Katror.info