Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, më 3 nëntor, do të organizojë shfaqjen e katërt të ciklit “Netët e Filmit Shqiptar”, që do të mbahet në Kino Armata në Prishtinë, nga ora 19:00.
Në këtë mbrëmje do të shfaqet filmi artistik ‘Kur xhirohej një film’ (1981), i regjisores së njohur Xhanfise Keko, një nga figurat më të vlerësuara të kinemasë shqiptare.
Programi sjell një përzgjedhje të veçantë filmash nga autorë të njohur të kinemasë shqiptare – Dhimitër Anagnosti, Xhanfise Keko, Saimir Kumbaro, Fehmi Hoshafi dhe Muharrem Fejzo – të cilët do të shfaqen si për nxënësit e shkollave, ashtu edhe për publikun e gjerë filmdashës.
Cikli “Netët e Filmit Shqiptar” ka për qëllim të rikthejë trashëgiminë filmike shqiptare tek publiku kosovar, duke i afruar edhe brezat e rinj me filma klasikë dhe mesazhet artistike që ata mbartin. Ai promovon kinemanë shqiptare si pjesë të rëndësishme të kulturës dhe identitetit kombëtar, duke e bërë artin filmik të aksesueshëm për nxënës, studentë dhe adhurues të filmit.
Në edicionin e këtij viti, cikli po vazhdon deri në nëntor 2025, duke sjellë shfaqje të veprave që kanë shënuar historinë e kinemasë shqiptare dhe që mbeten pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare.
Hyrja është falas, por vendet janë të kufizuara, prandaj kërkohet konfirmimi i pjesëmarrjes deri më 3 nëntor 2025, në ora 16:00. Ky cikël organizohet nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Kino Armatën./AP/Katror.info










