Një meteorit me peshë pak më shumë se gjysmë kilogrami, i gjetur në Marok, sipas të dhënave të reja, mund të jetë meteori i parë që njerëzit kanë gjetur dhe që ka mbërritur në Tokë nga hapësira – pas një “udhëtimi vajtje-ardhje” të gjatë.
Gjegjësisht, ky meteorit u studiua nga një grup shkencëtarësh dhe u deklarua si i pari “meteorit tokësor”, ai që e ka origjinën nga planeti ynë, ka kaluar ndoshta 10 mijë vjet në hapësirë dhe më pas është kthyer në Tokë në formën e një meteori hapësinor.
Ata u çuan në këtë përfundim nga përbërja e pazakontë e vetë meteoritit – domethënë, ai përputhet me përbërjen e shkëmbinjve vullkanikë në Tokë. Sidoqoftë, në mënyrë që të mos ishte e çuditshme gjetja e një guri me origjinë tokësore në planetin tonë, ishte gjithashtu e nevojshme të konfirmohej se ai me të vërtetë vinte nga hapësira e jashtme.
Kjo u arrit përmes analizave shtesë, të cilat treguan se disa elementë brenda meteorit u ndryshuan nën ndikimin afatgjatë të rrezatimit kozmik.
Ato u shndërruan në izotopet e tyre, përqendrimi i lartë i të cilëve nuk mund të ishte krijuar përmes proceseve normale që shohim në Tokë. Përqendrimi i izotopeve (për shembull 10Be, 3He dhe 21Ne) është më i lartë se në sipërfaqen e tokës, por më i ulët se ai në meteoritët “normalë” – dhe për këtë arsye u arrit në përfundimin se ky është një fenomen shumë i pazakontë, shkruan Katror.info.
Bazuar në këto të dhëna, studiuesit arrijnë në përfundimin se meteori i Afrikës Veriperëndimore 13188 (NWA 13188) është shkëputur nga Toka në të kaluarën, si rezultat i goditjes së një asteroidi të madh dhe të fuqishëm. Ai kaloi, për një meteor, një kohë të shkurtër në hapësirë (vlerësuar nga 2 deri në 10 mijë vjet), rrethoi sistemin diellor dhe më pas për shkak të një kombinimi rrethanash u kthye në planetin e origjinës. Se ky është një fat i tillë vërtetohet nga një tjetër dëshmi – korja e meteoritit, e formuar nga shkrirja e sipërfaqes gjatë hyrjes së zjarrtë në atmosferën e Tokës.
NWA 13188 u gjet ndoshta nga beduinët marokenë, për të përfunduar në duart e një rishitësi disa kohë më vonë, në 2018. Në fund, ai u ble në një ekspozitë në Paris nga Albert Jambon, një profesor nga Universiteti i Sorbonës. Për shkak të mënyrës joformale të gjetjes së tij, nuk është plotësisht e qartë se kur dhe saktësisht ku ka rënë meteori, por shkencëtarët besojnë se ai mund të lidhet me një nga krateret që u formuan kohë më parë në Sahara.
Hulumtimi, i cili arrin në përfundimin se është meteori i parë i zbuluar me prejardhje nga Toka, u prezantua këtë muaj në konferencën gjeokimike Goldschmidt 2023 në Lyon. Meteori NWA 13188 pa dyshim do të jetë objekt analizash të reja, para së gjithash që do të përcaktojnë moshën e tij – kështu që vetëm atëherë, dhe gjithashtu pas botimit të një punimi shkencor të rishikuar nga kolegët, do të jetë e mundur të konfirmohet se është me të vërtetë një copë Tokë që iu kthye si një “bumerang””./Katror.info