Në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, është zhvilluar një takim ndërmjet drejtorëve Politikë të Ministrive të Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës. Ky takim u përqendrua në çështjet e bashkëpunimit dypalësh, integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal.
Delegacionet u kryesuan nga Gazmend Barbulushi, Drejtor Politik për Çështje Strategjike në MEPJ-në e Shqipërisë dhe Mentor Tahiri, Drejtor i Departamentit për Evropë, BE dhe Rajon në MPJD-në e Kosovës.
Takimin e përshëndeti Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërinstitucional.
“Sot, në mjediset e #MEPJ u zhvillua takimi ndërmjet Drejtorëve politikë të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Republikës së Kosovës, që mbulojnë çështjet e bashkëpunimit dypalësh, çështje të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit në BE.
Në nisje të takimit, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani përshëndeti delegacionin nga Kosova, duke vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe rëndësinë e koordinimit mes institucioneve tona.
Takimi mes delegacioneve vijoi me një bashkëbisedim frytdhënës lidhur edhe me përcaktimin konkret të hapave e aktiviteteve në vijim, si në kontekstin e bashkëpunimit dypalësh dhe në atë rajonal e shumëpalësh. Forcimi i subjektivitetit të Kosovës përmes njohjeve të reja dhe përforcimi i rolit të saj në strukturat rajonale, ishte pjesë e diskutimeve mes delegacioneve.
Pjesë e rëndësishme e bisedimeve ishte edhe vëmendja dhe koordinimi në raport me faktorin shqiptar në Rajon”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/Katror.info