Në kuadër të “Prishtina Outdoor Festival” u përurua përfundimi i mbi 80 km shtigje malore në Gërmi dhe Gollak, një projekt për ecje, vrapim dhe çiklizëm në natyrë.
Sipas Komunës së Prishtinës, së shpejti do të fillojnë punimet edhe për shtigjet për të verbër. Për të shënuar këtë moment, qytetarët vrapuan simbolikisht 2.5 kilometra në njërin nga shtigjet e reja.
Në Parkun e Gërmisë, të shtunën u përurua përfundimi i shtigjeve të reja për vrapim dhe rekreacion ku të pranishëm ishin kryetari i Prishtinës Përparim Rama, qytetarë e adhurues të këtij sporti.
“Po përurojmë 84 km të katër shtigjeve që ndërlidh Prishtinën me gjithë Gollakun pra me pjesë të ndryshme, me fshatra të ndryshme të Gollakut. Edhe këtu është Gollak, pra kemi shtigje të cilat janë të lidhura me ambientin në mënyrën më të mirë të duhur, intervenimet janë ashtu shumë sensitive, i kemi të shenjëzume por jo intervenime të mëdha që me pas ndonjë element negativ”, tha Përparim Rama, kryetar i Prishtinës.
Gjithashtu u bë e ditur se shpejt do të nisë edhe projekti për shtigjet për të verbër dhe personat me nevoja fizike.
“Ne nuk hapim shtigje të reja, shtigjet e vjetra që i kanë përdor malësorët nëpër Gollak, ne i riaktualizojmë edhe i rregullojmë në konceptin e ecjes turistike dhe shëndetësore. Sa i përket shtegut për personat me nevoja të veçanta, shtegu është pjesë e rrjetit, është projekt ideor e kemi gjetë metodën më të mirë e cila nuk prek në ambient”, tha për RTK Nazmi Hasanramaj, alpinist.
“Ky projekt ka filluar që dy vite dhe është bërë punë e madhe, shenjëzimi dhe hartëzimi i 80 km shtigje të Gërmisë. Këto shtigje kanë bërë që qytetarët e Prishtinës të përdorin jo vetëm luginën por edhe shtigjet që janë për të bërë jo vetëm aktivitete sportive”, tha Donika Çetta, përfaqësuese e projektit.
Për të shënuar këtë moment qytetarët vrapuan simbolikisht 2.5 kilometra në njërin nga shtigjet e reja./Katror.info