Pavarësisht grevës në Hollywood, Festivali i Filmit në Venecia do të presë shumë aktorë të famshëm të Hollywoodit në tapetin e kuq.
Edhe pse supozohej se në edicionin e sivjetshëm të festivalit të famshëm të filmit, lista e aktorëve të famshëm do të jetë dukshëm më e vogël në krahasim me më parë, programi dhe ardhja e yjeve të Hollywoodit do të mbetet kryesisht e njëjtë.
Sipas informacioneve nga mediat e huaja, zyrtarisht është konfirmuar se aktorët Adam Driver, Jessica Chastain, Caleb Landry Jones dhe Mads Mikkelsen do të jenë ndër yjet që do të vizitojnë festivalin këtë vit, shkruan Katror.info.
Festivali ka konfirmuar se Adam Driver pritet në tapetin e kuq për të promovuar Ferrarin e Michael Mann, në të cilin ai luan personazhin kryesor, pionierin italian të garave Enzo Ferrari.
Aktorja Chastain mbërrin për premierën e “Memory” të Michel Franco, Caleb Landry Jones për “Dogman” të Luc Besson. Mads Mikkelsen vjen për premierën e filmit “Bastarden” të regjisorit danez Nikolaj Arcel.
Në festival priten edhe Cailee Spaeny dhe Jacob Elordi, të cilët luajnë Priscilla dhe Elvis Presley në filmin “Priscilla” të Sophia Coppola, si dhe Priscilla Presley. Regjisorët që përflitet se do të marrin pjesë këtë vit përfshijnë David Fincher, Sofia Coppola, Ava DuVernay, Michael Mann, Yorgos Lanthimos dhe Woody Allen.
Të gjithë filmat e listuar më sipër kanë marrë leje të përkohshme nga Skuadra e Aktorëve të Ekranit (SAG-AFTRA) si prodhime të pavarura që nuk janë prodhuar nga anëtarët e Shoqatës së Prodhuesve të Filmit dhe Televizionit (AMPTP). Kastet e filmave që kanë premierën e tyre në pjesën konkurruese të edicionit të sivjetmë të festivalit nuk pritet të jenë në tapetin e kuq.
Sipas mediave italiane, Kiefer Sutherland ka të ngjarë të jetë në festival për të nderuar filmin e fundit të të ndjerit William Friedkin, dramën ligjore “The Caine Mutiny Court Martial” – pavarësisht faktit se është prodhuar nga Showtime dhe Paramount Global, të cilat janë anëtar të AMPTP.
Festivali i 80-të i Filmit në Venecia fillon të mërkurën, më 30 gusht dhe do të zgjasë deri më 9 shtator. Fillon me filmin aksion italian nga Lufta e Dytë Botërore “Comandante”./Katror.info