Pesëdhjetë vjet pas daljes së tij, Monty Python and the Holy Grail vazhdon të konsiderohet si një nga komeditë më të mëdha në historinë e kinemasë. I realizuar si një komedi britanike e pavarur, me buxhet të ulët dhe nga një trupë televizive sketch-esh, ky film nuk premtonte shumë në fillim. Në fakt, dukej si një projekt që do të harrohej shpejt, nëse do të arrinte fare në kinema. Por, sot pesë dekada më vonë nga publikimi në prill të vitit 1975, filmi gëzon ende statusin e një klasiku.
Terry Gilliam, i cili bashkëdrejtoi filmin me Terry Jones, thotë se ende emocionohet sa herë që e sheh: “Sa herë që e shikoj, mbetem i mahnitur nga sa jashtëzakonisht i mirë është. Është ende po aq qesharak dhe më pëlqen çdo gjë rreth tij,” tregoi ai për BBC-në, transmeton Katror.info.
Trupa e Monty Python u formua fillimisht përmes serialit televiziv të BBC-së Monty Python’s Flying Circus, që filloi të transmetohej në vitin 1969.
Pesë nga gjashtë anëtarët – Terry Jones, Graham Chapman, John Cleese, Eric Idle dhe Michael Palin e kishin zhvilluar talentin e tyre komik gjatë studimeve në universitetet e Oksfordit dhe Kembrixhit. I vetmi amerikan i grupit, Terry Gilliam, ishte zhvendosur nga SHBA në Britani dhe kontribuoi me segmentet e animuara që lidhnin skeçet surrealiste të emisionit.
Në vitin 1971, disa prej këtyre skeçeve u rixhiruan dhe u përfshinë në filmin And Now for Something Completely Different. Megjithatë, grupi kishte ambicie për të realizuar një film të mirëfilltë artistik ose të paktën disa prej tyre kishin këtë synim.
“Nuk ishte aspak një vendim unanim që të bënim një film pas serialit televiziv,” thotë Michael Palin.
“John, për t’u vlerësuar, ishte i angazhuar me Fawlty Towers, Eric po punonte në Rutland Weekend Television, por dy Terry-t donin të drejtonin një film, dhe unë e doja kinemanë gjithashtu, kështu që kjo ishte e vetmja rrugë përpara jo të bënim thjesht tre episode të Monty Python të ngjitura njëra pas tjetrës, por të krijonim një përvojë të plotë kinematografike. Asnjë serial tjetër televiziv, për aq sa di unë, nuk kishte kaluar në kinema, por ne menduam ta provonim”, tregoi ai.
Chapman dhe Jones kanë ndërruar jetë (ose “kanë pushuar së ekzistuari”, për të huazuar një shprehje nga njëri prej skeçeve të tyre më të dashura), ndërsa Cleese dhe Idle nuk ishin të disponueshëm për të folur me BBC-në.
Por, Gilliam dhe Palin kujtojnë me gëzim Holy Grail – Palin me një butësi të qetë dhe miqësore, ndërsa Gilliam duke qeshur me entuziazëm.
Palin përmend se ai dhe Jones kishin realizuar një serial me skeçe historike para Monty Python, të quajtur The Complete and Utter History of Britain, dhe se më pas Jones do të bëhej një historian i vlerësuar i Mesjetës.
Megjithatë, kjo nuk ishte arsyeja pse ekipi vendosi ta ndërtonte filmin e tyre të parë të mirëfilltë rreth Mbretit Artur dhe Kalorësve të Tryezës së Rrumbullakët.
“Duhej të bënim diçka që përfshinte të gjithë të gjashtët, dhe sigurisht që Tryeza e Rrumbullakët ishte modeli i përsosur për këtë, sepse secili prej nesh mund të luante një nga kalorësit. Dhe gjithashtu sepse legjenda e Kalisë së Shenjtë ishte diçka për të cilën të gjithë kishin dëgjuar, por askush nuk dinte vërtet gjëra konkrete. Mund të krijoje çfarëdolloj historie të bazuar në kërkimin për Kalinë”, thotë Palin.
Jo se Monty Python and the Holy Grail kishte për qëllim të ishte ndonjë aventurë e zakonshme për Mbretin Artur. Po aq absurd dhe tronditës sa skeçet që i bënë të famshëm, filmi përfshinte titra të rreme në gjuhën suedeze, animacionin e menjëhershëm të dallueshëm të Gilliam-it, një Lepur Troje, Kalorësit që thonë “Ni!”, një debat për atë nëse dallëndyshet janë mjaftueshëm të forta për të mbajtur kokositë dhe një historian modern që shfaqet për të komentuar ngjarjet – për t’u vrarë më pas brutalisht nga një kalorës kalimtar.
Me ndihmën e producentit teatror Michael White, Pythons përfunduan duke siguruar fonde nga burime të pazakonta – përfshirë grupet legjendare Led Zeppelin, Pink Floyd dhe disa kompani diskografike.
Palin: “U them njerëzve, ‘Led Zeppelin na dhanë 50 mijë funte – dhe shikoni ku janë tani.’”
Gilliam: “Faleminderit Zotit për rock’n’roll, është e vetmja gjë që mund të them.”
Sipas Gilliam, përparësia e këtyre mbështetësve jo-tradicionalë ishte që ekipi kishte liri të plotë krijuese.
“Kur e kthej kokën pas, gjithmonë më është dukur shumë e pastër ajo që bëmë. Thjesht përpiqeshim të bënim veten të qeshnim, ndërkohë që thoshim edhe gjëra interesante, gjëra serioze. Nuk kishte forca të jashtme. Ne të gjashtët i merrnim vendimet – dhe mbyllej biseda. Kjo është një gjë e rrallë. Muzikantët e arrijnë shpesh këtë. Por pak film-bërësve u lejohet”, tregon ai.
Ana tjetër e medaljes ishte se, edhe me ndihmën e këtyre fansave të famshëm që kontribuuan “me pak para,” siç thotë Palin, buxheti i filmit ishte më pak se 300 mijë funte (393 mijë dollarë). Kjo ishte shumë pak për një film fantastiko-historik të vendosur në Britaninë mesjetare – kështu që ekipi duhej të ishte kreativ.
Nuk kishin mundësi të përballonin kalorës që ngisnin kuaj, për shembull, ndaj Mbreti Artur (Chapman) dhe njerëzit e tij ecin në këmbë, ndërsa shërbëtorët pas tyre godasin gjysma arrash kokosi për të imituar zhurmën e hapave të kuajve. Një zgjidhje tjetër kreative u gjet kur leja për të xhiruar në disa kështjella skoceze u anulua në momentin e fundit. Në vend të tyre, ata xhiruan në Kalanë Doune pranë Stirlingut, Skoci, nga kënde të ndryshme, në mënyrë që të dukej sikur ishte një kështjellë tjetër çdo herë.
“Ajo që më pëlqen është që Kalaja Doune ka përfituar nga kjo,” thotë Palin.
“Tani është qendra e një lloj industrie turistike Python, dhe është e vetmja dyqan-suvenire i një kështjelle që shet gjysma arrash kokosi të prera gati”, shton ai.
Pavarësisht buxhetit të kufizuar, një arsye kyçe pse filmi ka qëndruar gjatë në kohë është sepse duket si një epikë autentike mesjetare, me pamje atmosferike të xhiruara në lokacione reale në Skoci.
“Na zhgënjenin shfaqjet televizive sepse kishin skena të dobëta, ndriçim të keq dhe gjithçka të dobët,” thotë Gilliam për veten dhe Jones-in, dhe të dy ishim adhurues të mëdhenj të Bruegel-it si piktor dhe Pasolinit si regjisor. Donim të gjitha ato tekstura, gjithë atë realitet. Mendoj se kjo është ajo që e bën filmin unik: disa nga ne ishin historianë të vërtetë dhe regjisorë të mirëfilltë.”
Anëtarët e Monty Python thonë se zgjidhjet kreative që gjetën për shkak të kufizimeve buxhetore u bënë disa nga shakatë më të dashura të filmit.
Megjithatë, jo të gjithë anëtarët e grupit e shihnin si të nevojshme atë estetikë “à la Bruegel dhe Pasolini”.
“Një nga kënaqësitë e filmit ishte kërkimi i lokacioneve, vendeve me histori, dhe përpjekja për t’i bërë ato të duken të bukura,” thotë Gilliam.
“Por kishte ditë kur zihesha me pjesën tjetër të grupit, të cilët nuk kishin fare interes për të krijuar realitetin e kohës. Donin thjesht të ishin qesharakë”, shton ai.
“Disa anëtarë të grupit “ankoheshin vazhdimisht” për xhirimet në natyrë, sidomos kur shiu skocez përmbytej në tunikat [iu referohen veshjeve të trasha të mesjetës që personazhet mbajnë në filmin, të cilat mund të ishin të ngurta dhe të pakëndshme për t’u veshur gjatë xhirimeve në kushte të ftohta dhe të lagështa], e tyre të trasha prej leshi”, thotë Gilliam.
“Mike ishte në rregull, Terry ishte në rregull, por të tjerët e urrenin të vishnin kostume të pakëndshme. Thjesht donin të ishin qesharakë. Por unë thosha: ‘Po e humbni thelbin. Që të jesh qesharak, duhet të jesh i vërtetë fillimisht. Gjithçka duhet të duket e besueshme.’ Mendoja se humori do të ishte shumë, shumë më efektiv nëse do ta ngulitnim në realitet”, tha ai.
Në fund, dy Terry-t fituan dhe, siç bien dakord Gilliam dhe Palin, përkushtimi i Chapman ndaj portretizimit realist të një Mbreti Artur krenar por i acaruar, krijoi kontrast perfekt me marrëzinë përreth tij.
“Gjithçka rreth tij ishte plotësisht e besueshme,” thotë Gilliam.
“I vetmi problem me këtë qasje natyraliste ndaj Mesjetës ishte se u identifikua aq shumë me Monty Python, saqë çdo film tjetër me estetikë të ngjashme – baltë, tym, mot gri, kështjella të rrënuara, dukej si një parodi Python, edhe kur përpiqej të ishte serioz. Lancelot du Lac i Robert Bresson doli në Britani në gusht të vitit 1975″, kujton Gilliam.
“Ishte tmerrësisht serioz. Dhe njerëzit nisën të qeshnin, sepse ishte një përpjekje aq serioze për të treguar të vërtetën, por nuk ishte aq e mirë sa çfarë kishim bërë ne”, thotë ai.
Holy Grail pati ndikim të thellë edhe te vetë anëtarët e Python. Suksesi i filmit e bindi Gilliams-in që nuk ishte vetëm një animator, por një regjisor “sepse kështu shkruhej në kredite”, dhe rriti profilin ndërkombëtar të grupit, “duke zgjeruar kontrollin tonë mbi njerëzimin.”
Sipas Terry Gilliam, financimi i filmit përmes burimeve jo konvencionale, si grupi Led Zeppelin, u dha Python-ëve liri të rrallë krijuese.
Filmi gjithashtu i nxiti Monty Python të krijonin një vazhdim. “Edhe pasi përfunduam Holy Grail, kishte një ndjenjë ‘OK, e bëmë këtë film, një eksperiment, por edhe nëse funksionon, secili prej nesh ka gjëra të tjera për të bërë,’” thotë Palin. “Por teksa bënim promovimin nëpër botë, kalonim shumë kohë në aeroporte, dhe ideja që u bë The Life of Brian lindi në një nga ato biseda nga mërzia, duke pritur një fluturim për në Dublin apo diku tjetër. Eric doli me titullin Jesus Christ: Lust for Glory, dhe kjo na drejtoi drejt historisë biblike, dhe bëri që të gjithë të ishim të gatshëm të investonim kohë për të shkruar një tjetër film – dhe kjo ishte shumë në kufirin e mundësisë. Mund të kishte qenë vetëm një film, dhe aq.”
Jo vetëm që Holy Grail çoi në realizimin e dy filmave të tjerë – Monty Python’s Life of Brian (1979) dhe Monty Python’s The Meaning of Life (1983) – por u adaptua edhe nga Eric Idle dhe John Du Prez në një shfaqje të gjatë në Broadway me titull Spamalot, e cila fitoi çmimin Tony për muzikalin më të mirë në vitin 2003. Si Palin ashtu edhe Gilliam e lavdërojnë këtë shfaqje, megjithëse Gilliam ka një rezervë: “nuk ishte mjaftueshëm me baltë”.
Edhe më e jashtëzakonshme është se shumë fraza nga filmi janë futur në leksikun britanik, dhe disa nga personazhet janë kthyer në arketipe: politikanët që dështojnë shpesh krahasohen me Kalorësin e Zi, i cili këmbëngul të luftojë edhe kur i janë prerë të gjitha gjymtyrët, ndërsa Sir Robin-i “Jo-aq-trim-sa-Sir Lancelot-i” përmendet kur dikush shihet si veçanërisht frikacak.
Sipas Gilliam, këta personazhe janë kaq të fuqishëm sepse, edhe kur humori i Monty Python bëhet më absurd se kurrë, ai bazohet te “njerëz të vërtetë me qëndrime të vërteta”, duke shtuar: “dhe Britania po bëhet gjithnjë e më shumë si personazhet e Holy Grail-it!” /Katror.info
Përgatiti:
