Sot nis festivali i parë i vallëzimit në Kosovë, Prishtina Dance Week 2025, i cili do të zgjasë deri të dielën në kryeqytet. Ky event do të sjellë një atmosferë të veçantë për dashamirësit e kërcimit dhe artit të vallëzimit.
Organizatori Rron Haxhiislami ka ndarë detaje mbi aktivitetet e festivalit. Sipas tij, festivali do të nisë sonte nga ora 19:00 deri në 21:00 me dy punëtori të drejtuara nga instruktorë ndërkombëtarë.
“Sonte fillojmë me dy punëtori, njëra nga Maqedonia e Veriut dhe tjetra nga Italia. Më pas do të vijojnë aktivitete të tjera,” ka deklaruar ai për RTK.
Gjatë ditëve në vijim, festivali do të sjellë artistë nga vende të ndryshme. Të enjten, të premten dhe të shtunën, numri i artistëve të huaj do të rritet, duke e bërë këtë festival një ngjarje me ndikim rajonal dhe ndërkombëtar.
Në festival do të marrin pjesë rreth 15 artistë ndërkombëtarë dhe afërsisht 20 shkolla të vallëzimit nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Zvicra.
“Kjo do të krijojë një atmosferë të pasur dhe shumëngjyrëshe të vallëzimit, duke ofruar mundësinë për të parë dhe dëgjuar arritje artistike dhe muzikore që më parë nuk i kemi përjetuar,” ka theksuar Haxhiislami.
Prishtina Dance Week 2025 synon të bashkojë komunitetet e vallëzimit nga vende të ndryshme dhe të ofrojë një eksperiencë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit dhe publikun.
Festivali do të jetë një hapësirë për shkëmbim kulturor, promovim të talenteve të rinj dhe një platformë për zhvillimin e skenës së vallëzimit në Kosovë./Katror.info