Baleti Kombëtar i Kosovës shfaq më 17.10.2024 baletin “Aeon”, me koreografi të Daniel Cardosos.
Shfaqja jepet në ora 20:00 në Amfiteatrin në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
“Pas prezantimit të suksesshëm në Lisbonë të Portugalisë, shfaqja “Aeon” nga Baleti Kombëtar i Kosovës sonte rikthehet në Prishtinë. “AEON” është krijimi më i ri i Baletit Kombëtar të Kosovës, realizuar në bashkëpunim me koreografin e njohur ndërkombëtarisht, Daniel Cardoso. Shfaqja “Aeon” pati premierën në qershor në Prishtinë dhe në korrik në Lisbonë”, thuhet në njoftimin e BKK-së.
Rreth shfaqjes “AEON”
Çfarë i jep formë gjithçkaje? Çfarë ndikon në vendimet tona dhe në fund përcakton trajektoren e jetës sonë? Çfarë ushqen “fantazmat” e së kaluarës sonë? Një burim që nuk mund të rikthehet apo të rikuperohet pasi të jetë shpenzuar. Në fund, e vetmja gjë që nuk mund ta ndalojmë apo kontrollojmë. Mund të ndihet si një përjetësi e dhimbshme ose si një sekondë e shkurtër dhe e harxhojmë për gjëra që nuk kanë asnjë kuptim për ne, për gjëra që në të vërtetë nuk kanë rëndësi, për gjëra që na zbrazin.
KOHA. Forca e pamëshirshme që vazhdon, indiferente ndaj dëshirave tona, e pandryshueshme ndaj vullnetit tonë. Thelbi i një gjëje qëndron në momentet që i dorëzojmë për ta arritur atë.
Po sikur të gjejmë atë personin e çmuar, atë vendin e çmuar, atë momentin e çmuar, ku dëshirojmë vetëm të ngrijmë kohën dhe ta bëjmë orën të ndalojë./Katror.info