Përballja ndërmjet Manchester Cityt dhe Borussias së Dortmundit është kryendeshja e mbrëmjes së sotme në Ligën e Kampionëve.
Për herë të parë në karrierën e tij si trajner, Niko Kovaç do të zbresë në “Etihad Stadium”, përballë një kundërshtari që në aspektin e cilësisë së skuadrës është më i fortë, por që në tabelë qëndron në të njëjtin nivel. Pas tre xhirove të para, si City ashtu edhe Borussia kanë grumbulluar nga 7 pikë, megjithatë ekipi i trajnerit kroat ka treguar më shumë efikasitet në sulm (12 gola të shënuar, City 6), por njëherësh ka shfaqur edhe më shumë dobësi në mbrojtje (7 gola të pësuar, City vetëm 2).
Në prag të kësaj përballjeje, të dy kampet kanë folur me respekt për kundërshtarin.
Pep Guardiola ka theksuar rëndësinë e ndeshjes dhe formën e lartë të rivalit:
“Tani formati i Ligës së Kampionëve është ndryshe. Nuk them që do të jetë e lehtë, sepse Dortmundi gjithmonë paraqitet në nivel të lartë në këtë garë. Me nëntë pikë të tjera do të ishim shumë afër kualifikimit dhe synojmë ta sigurojmë këtë sonte”, ka deklaruar trajneri i Cityt.
Guardiola ka vendosur t’u japë lojtarëve pushim pas ndeshjes me Bournemouthin, për t’i pasur më të freskët për këtë përballje:
“Ishte një ndeshje e vështirë fizikisht, ndaj preferova që lojtarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të rikuperohen”, shtoi ai.
Sulmuesi norvegjez Erling Haaland, që ka shënuar 13 gola në Premier League dhe 4 në Ligën e Kampionëve, është i përqendruar te suksesi i skuadrës:
“Jam në formë të mirë, por nuk mendoj për rekorde. Dua të ndihmoj skuadrën dhe të përqendrohem në të tashmen. Sa për krahasimet me Messin apo Ronaldon, unë jam larg tyre, askush nuk mund t’u afrohet atyre dyve”, ka thënë Haaland.
Nga ana tjetër, në kampin gjerman mbizotëron përqendrimi dhe vetëbesimi. Trajneri Niko Kovaç ka deklaruar se skuadra e tij duhet të japë maksimumin për të arritur rezultat pozitiv në “Etihad”:
“Duhet të luajmë në kufijtë tanë, të japim 100%. Duam të tregojmë se kemi cilësinë për të marrë rezultat këtu. Kemi respekt për Cityn, por jo frikë”, tha Kovaç në konferencë për shtyp para ndeshjes.
Kroati shtoi gjithashtu se suksesi i Dortmundit është meritë e punës kolektive:
“Jemi të gjithë të lumtur, por nuk ka arsye për festë. Kam bërë punën time, por dua të theksoj se në futboll nuk mund të arrish asgjë vetëm. Çdo gjë është rezultat i skuadrës”, u shpreh ai.
Borussia po kalon një moment të shkëlqyer në fazën ofensive, ku në tri ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve ka shënuar nga 4 gola në secilën. Kovaç pritet të mbështetet në formën e lartë të “Ironmanit” Waldemar Anton, që do të ketë për detyrë ndalimin e Haalandit.
Megjithatë, sfida nuk do të jetë e lehtë. Dortmundi e ka mposhtur për herë të fundit Cityn në dhjetor 2012, ndërsa skuadra e Guardiolës nuk ka pësuar humbje në shtëpi në fazën e grupeve që nga shtatori 2018.
Në ndeshjet tjera të mbrëmjes në Ligën e Kampionëve takohen:
Ora 18:45
Pafos FC – Villarreal
Qarabag FK – Chelsea
Ora 21:00
Ajax – Galatasaray
Benfica – Bayer Leverkusen
Club Brugge – Barcelona
Inter – Kairat Almaty
Marseille – Atalanta
Newcastle United – Athletic Club
/Katror.info
















