Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho ka shënuar një tjetër sukses. Ajo është nominuar për çmimet “Gramophone 2023” përmes regjistrimit Turandot nga Warner Classics & Erato.
Lajmin e ka bërë të ditur artistja, e cila përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se për të është kënaqësi e veçantë që është vlerësuar me këtë nominim.
“Kënaqësi e veçantë që jam nominuar për çmimet Gramophone 2023 përmes regjistrimit Turandot nga Warner Classics & Erato”, shkroi Jaho.
Gjithashtu ajo tha se ishte kënaqësi që pati rastin të punojë me koleg/e të talentuar për ta sjellë kryeveprën e fundit të Puccinit.
“Ishte shumë kënaqësi që pata rastin të punojë me kaq shumë kolegë të talentuar dhe të përkushtuar për të sjellë në jetë kryeveprën e fundit të Puccinit. Të gjithë të nominuarit janë tashmë fitues në sytë e mi”, shtoi Jaho.
E kërkuar në të gjithë botën, Ermonela Jaho njihet veçanërisht për portretizimet e saj të Violetta (La traviata), Madama Butterfly dhe Suor Angelica (Il trittico), Mimi (La Boheme) etj. Nëpër artikuj, The Economist e ka cilësuar si “sopranoja më e vlerësuar në botë”, The Financial Times ka thënë se “Ermonela Jaho derdh zemrën dhe shpirtin në këndim…Mos u përpiq t’i rezistosh”./Katror.info