“Chopin Piano Fest Prishtina”, festivali më i madh i muzikës klasike në vend sot (e enjte) fillon edicionin e 14- të festivalit, duke sjellë edhe këtë herë emocione te publiku përmes emrave të përzgjedhur të pianistëve vendorë e ndërkombëtare.
Edicioni i 14-të i “Chopin Piano Fest” do të prezantojë 14 koncerte me program të pasur artistik jo vetëm me veprat e Chopin-it, por edhe kompozitorëve të tjerë të njohur, klasikë dhe bashkëkohorë, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare të Prishtinës. Detaje për koncertin ka dhënë për Katror Media, drejtuesja e Chopin Piano Fest’ 2024, Besa Luzha.
“Për 14 mbrëmjet e festivalit, do të mund të dëgjoni një repertor të zgjedhur me kujdes, për t’i dhënë mbrëmjeve tuaja një përzierje të shkëlqyeshme të muzikës së bukur dhe interpretimit të saj në nivelin më të lartë botëror. Bashkohuni me ne, për të përjetuar një eksperiencë unike muzikore në edicionin e 14-të të Chopin Piano Fest Prishtina”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Ndërsa, siç shpjegon Luzha, çdoherë e më shumë, ka interesim të jashtëzakonshëm të pianistëve nga tërë bota për të marrë pjesë në eventin që sivjet shënon edicionin e 14-të. “Chopin Piano Fest 2024” mbahet nga data 9 maj deri më 9 qershor 2024./Katror.info