Sot legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës do të bëjë përpjekjen e radhës për t’u konstituar. Të shtunën në mungesë kuorumi, dështoi përpjekja për zgjedhjen e komisionit për votimin e fshehtë, duke e detyruar kryesuesin Avni Dehari që ta ndërpresë seancën.
Për herë të dhjetë me radhë të shtunën, legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk arriti të konstituohet.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u bëri thirrje partive politike që të propozojnë anëtarë për komisionin për votimin e fshehtë, si një hap procedural kyç sipas tij, për vazhdimin e procesit.
Por, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kritikoi mënyrën e drejtimit të seancës, duke mos propozuar kandidatë për komision. As LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk propozuan kandidatë për komisionin, duke mbajtur qëndrimin e njëjtë si në seancat e kaluara, raporton RTKlive.
Ndërkohë, nga 106 deputetë të pranishëm, vetëm 54 votuan pro krijimit të komisionit, një kundër, dhe asnjë abstenim, numër që nuk mjaftoi për kuorum.
Pas votimit të kryekuvendarit është e përcaktuar të procedohet me votim të nënkryetarëve.
Votimi i kryekuvendarit dhe nënkryetarëve do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re të Kosovës. LVV-së, si fituese të zgjedhjeve, i takon që e para të propozojë mandatarin për ekzekzutivin.
Nëse brenda 15 ditësh nuk e formon ekzekutivin, atëherë presidentja Vjosa Osmani, ka të drejtë të mandatojë cilëndo parti që ia garanton se i ka 61 votat për Qeverinë e re të Kosovës.
Nëse edhe mandatari i dytë dështon të formojë ekzekutivin, atëherë Osmani shpall mbajtjen e zgjedhjeve të reja./Katror.info